E Diel, 1 Nëntor 2026

Kopshtet, rreth 3 mijë fëmijë të regjistruar, 8% emigrantë të kthyer

Lorina Mixha

Afati i dytë - Data 9 shtator është afati i fundit i regjistrimeve. Ministria e Arsimit ka sqaruar dje se do të ketë një fazë të dytë regjistrimi

Kërkesat - Këtë vit rezulton të ketë lum kërkesash për regjistrime në çerdhe, kopshte dhe shkolla. Një pjesë e tyre janë kthyer nga emigrimi

Fluksi - Deri tani janë sistemuar në grupe të kopshteve 35-40 fëmijë. Ndërkohë që regjistrimet ende nuk janë mbyllur përfundimisht

Në kopshte, në një grup janë vendosur 35-40 veta. Ministria: Për privatët kërkoni licencën para regjistrimit

Fluks kërkesash për çerdhe dhe shkolla. Ministria: Do të shtyjmë afatin

Lorina Mixha

Këtë vit në kopshte e shkolla do të ketë më shumë fëmijë emigrantësh të kthyer. Deri më datën 4 shtator, autoritetet kanë regjistruar në rrjetin e tyre të të dhënave të gjithë listën e fëmijëve të regjistruar në kopshte, çerdhe dhe shkolla.

Drejtoria Arsimore e Tiranës dhe Ministria e Arsimit ndodhen në fazën e përpunimit të të dhënave për sa i takon regjistrimeve në institucionet arsimore, ndërkohë që nga informacioni paraprak rezulton se nga 7-8 për qind të të regjistruarve të jenë fëmijët e emigrantëve të kthyer. Vetëm në Tiranë, deri tani ka 2700 fëmijë të regjistruar në kopshte. Pritet që këto dy ditë të bëhet kompjuterizimi i listave të fëmijëve të regjistruar në kopshte, pasi sot është afati i fundit i regjistrimeve në kopshte.

Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit ka sqaruar dje për gazetën Shqip se do të ketë një afat të dytë regjistrimi.

Emigrantët

Në kopshte regjistrimet janë kryer sipas zonave ku fëmijët banojnë dhe këto ditë Drejtoria Arsimore do të bëjë edhe publikimin e listave të të regjistruarve në 43 kopshtet e Tiranës. Prioritet u është dhënë fëmijëve të emigrantëve këtë vit, të cilëve u janë lehtësuar proceduarat.

Shifrat përfundimtare të të regjistruarve, përfshirë këtu edhe fëmijë të kthyer nga vende ku prindërit e tyre qëndronin në emigrim, do të jepen pas javës së dytë të muajit shtator.

Por nisur nga vështirësitë sociale dhe duke pasur parasysh barrierat me përshtatjen, Drejtoria Arsimore ka marrë vendimin për favorizimin e këtyre fëmijëve, duke i regjistruar ata pranë zonës së banimit, edhe në rastin kur nuk plotësonin dosjen e dokumentacionit.

Në më pak se një vit, në vendin tonë janë rikthyer me mijëra emigrantë. Shumica e tyre janë në moshë të re dhe kërkojnë të punësohen. Nga statistikat e Ministrisë së Punëve dhe Çështjeve Sociale, numri i emigrantëve të rikthyer në vendin tonë është dyfishuar, krahasuar me një vit më parë. Kjo sjell rrezik në tregun shqiptar të punësimit. Llogaritet të jenë rreth 30 mijë të rikthyer në vend nga emigracioni.

Shumica prej tyre nga Greqia dhe Italia. Numri është dyfishuar, pasi një vit më parë, sipas statistikave të Ministrisë së Punës, rezulton të ishin rreth 16 mijë të riatdhesuar. Pjesa më e madhe e tyre kërkojnë të punësohen dhe përveç punësimit edhe integrim të fëmijëve në sistemin arsimor shqiptar. Sipas ministrit të Punës Spiro Ksera, 22 për qind e emigrantëve të kthyer janë punësuar, ndërkohë që 5 për qind e tyre janë përfshirë në skemën e ndihmës ekonomike.

Informacioni është ende duke u përpunuar, nuk mund të dalim në një shifër të saktë se sa janë fëmijë të emigrantëve të kthyer. Ndërkohë që mund të themi se ka një rritje të kërkesave për regjistrim. Nisur nga kjo, kemi menduar që, pas mbylljes së afatit të parë të regjistrimeve, të rihapim një fazë të dytë, në mënyrë që ata nxënës, që nuk mundën të paraqisnin dokumentet, të mos mbeten pa regjistruar, sqaroi zyrtarisht Ministria e Arsimit.

Fluksi

Sipas MASH-it, nga inspektimet dhe të dhënat e kontrolleve, rezulton se ka një numër të konsiderueshëm çerdhesh që nuk janë të licencuara. Prindërit duhet të kërkojnë licencën dhe dokumentacionin, që të vërtetojnë se këto institucione kanë kurrikulat e licencuara nga ekspertët e arsimit, e më pas të vërtetojnë nëse autoritetet shtetërore kryejnë kontrolle për higjienën e ambientit, ushqimit dhe përgatitjen e edukatorëve.

Ministria e Punës

Të riatdhesuarit, 2-fish më shumë se në 2011-ën

Emigrantët e kthyer, në më të shumtën e rasteve, kanë qenë punëtorë në ndërtim, por nuk përjashtohet një numër i konsiderueshëm edhe të atyre që kanë punuar si fermer. Sipas Kserës, më pak problematike situata paraqitet tek të punësuarit në sektorin e shërbimeve. Duke e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kemi një dyfishim të numrit të emigrantëve të rikthyer. Nëse vitin e kaluar me të dhënat zyrtare që disponojmë në bashkëpunim me Ministrinë e  linjës, por edhe me Ministrinë e Brendshme, të dhënat zyrtare flisnin për rreth 30 mijë të kthyer, shpresojmë që deri në fund të vitit të mos kapërcehet masa e 60 mijë shtetasve shqiptarë të kthyer”,tha ministri i Punës Spiro Ksera.

Kopshtet, rreth 3 mijë fëmijë të regjistruar, 8% emigrantë të kthyer burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›