Koptët e Egjiptit i japin lamtumirën papës

Kisha Kopte e Egjiptit po përgatitet për funeralin e Papës Shenuda III, i cili ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare.
Mediat shtetërore kanë raportuar se trupi i Shenudës i cili ka vdekur të shtunën do të qëndrojë në Katedralen e Shën Markut në Kajro deri të martën, kur edhe do të varroset.
Peshkopët koptë nga e mbarë bota kanë nisur të fluturojnë drejt Egjiptit për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit.
Shenuda ka udhëhequr minoritetin e krishterë të Lindjes së Mesme për katër dekada.
Të krishterët koptë përbëjnë rreth 10 për qind të popullsisë së Egjiptit.