E Shtunë, 31 Tetor 2026

Perëndimi dënon ekzekutimet në Bjellorusi

Dy personat e dënuar për sulmet me bomba në metronë e Minskut, janë ekzekutuar, me gjithë kundërshtimet e grupeve evropiane për të drejtat e njeriut.

Në një raport të shkurtër, agjencia shtetërore BeITA tha se Uladzislau Kavalou dhe Dmitri Kanavalu janë ekzekutuar.

Nëna e Kavalout, Libou, tha se ekzekutimi i djalit të saj ishte hakmarrje nga qeveria e presidentit Aleksander Lukashenko.

Aktivistja e të drejtave të njeriut, Ludmilla Griaznova, ka dënuar vendimin e autoriteteve, duke thënë se “ekzekutimi i të ashtuquajturve terroristë, fajësia e të cilëve mbetet e dyshuar, tregon se qeveria është duke fshehur gjurmët e krimit”.

Mediat thonë se njerëzit, të zemëruar me lajmin, kanë hedhur lule dhe kanë ndezur qirinj jashtë stacionit të metrosë në Minsk.

Duke iu referuar ekzekutimeve, Ronald Pofalla, shef i stafit të kancelares gjermane, Angela Merkel, ka thënë se “marrëdhëniet tashmë të përkeqësuara ndërmjet Bjellorusisë dhe Evropës do të vështirësohen edhe më tej”.

Markun Lloning, zyrtar për të drejtat e njeriut në Qeverinë gjermane, e ka quajtur Lukashenkon “diktator pa zemër”.

Bashkimi Evropian, muajin e kaluar, ka ashpërsuar sanksionet ndaj Bjellorusisë për shkak të represionit politik. Bjellorusia është i vetmi vend në Evropë që zbaton dënimin kapital.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›