E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korani drej zhdukjes, Ministria e Mjedisit aksion në Pogradec

POGRADEC-Një aksion kundër peshkimit të paligjshëm të peshkut Koran në liqenin e Pogradecit. Aksioni nga Ministria e Mjedisit ka nisur sot dhe pritet të vazhdojë në ditët e ardhshme.

Një nga speciet më të rralla, i famshmi peshku Koran për shkak të një peshkimi të pakontrolluar dhe pa asnjë lloj kriteri, madje edhe në periudhën e shumimit të tij, është sot drejt zhdukjes.

Për të parandaluar këtë, Drejtoria e Peshkimit në Ministrinë e Mjedisit nisi sot një aksion në qytetin e Pogradecit duke sekuestruar një sasi rrjetash peshkimi të cilat më pas u dogjën.

Ministria e Mjedisit ka deklaruar se aksioni në Pogradecit do të vazhdojë edhe në ditët në vijim duke bërë të mundur ndërprerjen e peshkimit të paligjshëm.

Korani është një peshk i rrallë që jeton në liqenin më të vjetër dhe të thellë në Ballkan e Europë. Mbijetesa e Koranit ka arritur në një pikë shumë kritike si pasojë e gjuetisë pa kriter. Në liqenin e Ohrit  rriten 40 specie peshqish, ndër më të njohurit dhe më i rëndësishmi është peshku i llojit Salmo Letnica, (Korani). Është për tu theksuar se peshku Koran gjendet vetëm në këtë liqen dhe në Liqenin Bajkal ne Rusi. Korani është peshku i ujrave shumë të pastra dhe të thella. Këto kushte për rritjen e tij e bëjnë të veçantë këtë lloj peshku dhe mundsojnë që ai të rritet në liqenin e Ohrit.

(d.b/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›