E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita kundërshton ndryshimin e varësisë së INSTAT

TIRANË-Opozita kundërshtoi të enjten në Kuvend, disa ndryshime në ligjin "Për statistikat zyrtare", që lidhet me ndryshimin e varësisë së INSTAT nga Këshilli i Ministrave, në varësi të Kryeministrit.

Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe tha se ky ndryshim bie ndesh me kërkesat që raport progreset e KE-së, i kanë adresuar në vijimësi Shqipërisë lidhur me pavarësinë e institucionit të statistikave.

"Në raport progresin e KE-së të 2010-s thuhet se sistemi i statistikave në Shqipëri ka nevojë për përmirësim thelbësor, pasi statistikat e hartuara ende nuk janë të harmonizuara në mënyrë të kënaqshme me standardet e BE-së dhe pavarësia profesionale e INSTAT nuk është mjaftueshëm e garantuar me ligj", tha Braçe, duke i'u referuar dokumentit të KE-së.

"Pra, vijoi ai, pavarësisht se kërkohet qartë t'i jepet INSTAT një pavarësi profesionale jashtë qeverisë, ju vazhdoni ta fusni atë brenda qeverisë dhe brenda zyrës së Kryeministrit", tha ai.

POLLO
Ministri i Inovacionit Genc Pollo deklaroi të enjten në Kuvend se, sistemi statistikor ka bërë përparime të shumta drejt standardeve të Bashkimit Europian.
"Kryetari i PS-së, Rama deklaroi se në Shqipëri ka 1 milionë të papunë. Përveç retorikës nihiliste, arsyeja e kësaj deklarate mund të jetë edhe mangësi informimi, pasi INSTAT raporton se është ulur numri i të papunëve", tha Pollo.
Ai ftoi opozitën të bashkëpunonte për të përmirësuar besimin te institucionet publike, pasi kemi vlerësime në këtë drejtim nga institucionet ndërkombëtare, ndërsa vuri theksin në faktin se statistikat janë të rëndësishme.

Pollo bëri të ditur se, në muajin nëntor kur u dorëzua progres-raporti nga Komisioni Europian për Shqipërinë është konstatuar se sistemi statistikor shqipar ka bërë përparime të dukshme gjatë viteve të fundit dhe se po i afrohet legjislacionit europian.
"Ligji aktual për statistikat shqiptare është një bazë e fortë ligjore për prodhimin e statistikave, ndërkohë që mbështesim planifikimin e rishikimit të ligjit për të forcuar statusin e Drejtorit të Përgjithshëm të INSTAT-it me parimet e pavarësisë profesionale dhe konfidencialitetit statistikor, që janë zbatuar praktikisht nga INSTAT-i", vijoi Pollo.

Pollo, duke i'u referuar një takimi me Drejtorin për Marrëdhëniet me Jashtë të EUROSTAT-it, tha se "ai konstatoi se Shqipëria, nga baza ligjore e deri te kapacitetet e terrenit, është një ndër vendet më të mira të Ballkanit Perëndimor".
Duke folur për ndryshimet në ligjin për statistikat, Pollo i cilësoi ndryshimet e propozuara si një rregullim ligjor që buron nga marrëveshja kuadër, miratuar që në kohën e qeverisjes së PS-së.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›