Korça, qyteti ku janë ruajtur muzetë
Muzetë e qytetit të Korçës mbeten më të vizitueshmit dhe më të preferuarit nga turistët vendas e të huaj. çdo vit shënohet një numër i lartë kureshtarësh që, pasi mbërrijnë në këtë qytet, vizitojnë edhe muzetë. Në krahasim me shumë qytete të tjera, Korça i ka mirëmbajtur ndër vite këto godina, ku brendashkruhet historia dhe kultura. Restaurimeve u janë nënshtruar jo vetëm ambientet, por edhe objektet që ruhen dhe ekspozohen në to. Korça njihet si qyteti i Mësonjëtores së parë shqipe, por edhe për një prej muzeve më unikalë në rrafshin ballkanik dhe më gjerë, siç është ai i ikonave, që njihet si Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar. Dy prej muzeve që tërheqin numrin më të madh të turistëve në Korçë janë ai i Shkronjave, Muzeu Kombëtar i Arsimit, në të cilën është hapur e para shkollë shqipe, si dhe Muzeu i Artit Mesjetar me një fond të pasur prej 7500 objektesh, prej të cilave 6000 janë ikona të vjetra, të cilat datojnë që nga shekulli XIII-XIV dhe ato që mbajnë autorësinë e ikonografëve të njohur dhe kryevepra të këtyre mjeshtërve si: Onufri, David Selenica, Shpataraku, vëllezërit Zografi etj. Për shkak të historikut, por edhe fondit të pasur të këtyre muzeve dhe ekspozimit të dokumenteve historike mbeten nga më të vizitueshmit në Korçë. Muzeu i Arsimit Kombëtar, ose Mësonjëtorja e parë shqipe e pozicionuar në qendër të qytetit, me germat e mëdha e të dukshme të ABC-së, është simboli i shkollës së parë shqipe. Jo vetëm në muajt e verës, por edhe gjatë dimrit, ky muze tërheq një numër të lartë vizitorësh: kryesisht grupe të organizuar me nxënësit e shkollave brenda vendit, ndërsa vitet e fundit ka tërhequr edhe vëmendjen e bashkëkombësve tanë në Maqedoni e Kosovë. Të paktën 5 mijë persona e vizitojnë këtë muze çdo vit, kurse kulmi arrin në periudhën e muajit mars. Kati i dytë i muzeut i është nënshtruar së fundmi restaurimit të sallave dhe në to janë vendosur panele të reja, ku ekspozohen librat e parë, dorëshkrime të patriotëve dhe njerëzve të letrave shqipe, abetaret, fotografi, ndërkohë që në një nga klasat mbi 120-vjeçare të shkollës ruhen ende bankat e vjetra, ku për herë të parë u mësua të shkruhej dhe lexohej gjuha jonë. Objekte historike e të kulturës mesjetare, një fond i pasur me ikona, objekte guri, kocke, druri, tekstili e metalesh të çmuara, janë pjesë e Muzeut të Artit Mesjetar. Ky muze, krahas bashkëpunimeve për ekspozimin e fondit jashtë vendit, ku është vlerësuar për koleksionin e pasur dhe të veçantë, tërheq çdo vit të paktën 8000 vizitorë. Koleksioni ikonografik me 6000 ikona është nga më të mëdhenjtë jo vetëm në rang kombëtar. Në këtë muze është ruajtur arti bizantin e pasbizantin dhe kultura e periudhës mesjetare. Krahas ekspozimit muzeu kryen edhe konservimin dhe restaurimin e objekteve. Korça ka edhe muze të tjera në gjendje të mirë, si ai Arkeologjik, Muzeu i Artit Oriental, i vetmi në vendin tonë, si dhe një muze natyror, siç është Tuma e Kamenicës.
#