Zgjedhjet, sfida e Beogradit ndaj autoriteteve të Prishtinës
Në veri të Mitrovicës dhe në Novobërdë, serbët votuan dje në kuadër të zgjedhjeve vendore të Republikës së Serbisë. Qendrat e votimit në këto dy vendbanime janë hapur në mëngjes, për të votuar për zgjedhjet, që janë të paligjshme për institucionet e Kosovës dhe organizmat ndërkombëtarë. Por, kjo nuk i ka penguar subjektet politike serbe që të zhvillojnë fushatë intensive elektorale dhe as banorët lokalë që dje të hidhnin votën e tyre. Në Mitrovicë, deri në orën 15 kishin votuar 20 për qind e qytetarëve. Banorët serbë në veri, që votuan për një nga 13 subjektet politike sa garojnë në zgjedhjet lokale në këtë qytet, kanë thënë se presin ditë më të mira për qytetin ku banojnë. Mbajtja e zgjedhjeve serbe është kundërshtuar nga shoqëria civile dhe opozita, të cilat e shohin këtë veprim si shkelje të rendit kushtetues dhe integritetit territorial të Kosovës. Por, autoritetet e Kosovës, megjithëse kundërshtojnë zgjedhjet, janë shprehur se ato nuk do të prodhojnë kurrfarë efekti juridik, duke paralajmëruar se së shpejti do t’i organizojnë zgjedhjet në veri të Mitrovicë, ashtu siç parashihet me Pakon e Ahtisarit. Ndryshe, Serbia ka organizuar zgjedhjet e fundit në veri të Mitrovicës në maj të 2008-s, vetëm tre muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kurse, në Novobërdë, zgjedhjet kosovare janë mbajtur më 15 nëntor të 2009-s, ku kanë garuar edhe subjekte politike serbe. Zgjedhjet kosovare të 15 nëntorit janë bojkotuar në tërësi nga serbët në tri komunat veriore, ku ata përbëjnë shumicën.
#