Korçë/ Vdekja e 5-vjeçarit, lihen të lirë mjeku dhe infemierët

Gjykata e Korçës ka lënë të lirë mjekun dhe tre infermierët e akuzuar si shkaktarë të vdekjes së një fëmijë 5 vjeçar nga fshati Leminot. Trupi gjykues i drejtuar nga gjykatësja, Arjola Kristo, ka vendosur detyrim paraqitje për mjekun reanimator Ilir Milo, si dhe infermierët Julian Mato, Olgert Hoxhallari dhe Kostika Karamitro. Vendimi i gjykatëses u jep të drejtë të katër bluzave të bardha të akuzura për 'mjekim të pakujdesshëm' të largohen nga qelitë e paraburgimit, ndërsa janë të detyruar të paraqiten çdo javë pranë prokurorisë së Korçës, e cila ka në dorë dosjen hetimore. Mjeku dhe tre infermierët, e spitalit civil të Korçës, u akuzuan për 'mjekim të pa kujdesshëm' të 5 vjeçarit Viktor Balliu, i cili ndërroi jetë pas pickimit nga gjarpri. Prokuroria e Korçës nisi hetimet për ngjarjen pasi familjarët e Viktor Balliut nga fshati Leminot akuzuan mjekët publikisht për neglizhencë në trajtimin e rastit 5 vjeçarit. Historia nis më 18 korrik, ditën kur 5 vjeçari Balliu u pickua nga një gjarpër helmues. Ai u dërgua fillimisht në spitalin e Korçës, por pas disa orësh është nisur drejt kryeqytetit, kohë kur 5 vjeçari ndërroi jetë. Familjarët e 5 vjeçarit akuzuan mjekët për mos trajtimin e fëmijës me sërumin antivipera, që përdoret në rastet e pickimeve nga gjarpri helmues. Familjarët akuzuan bluzat e bardha se kishin treguar papërgjegjshmëri në trajtimin e rastit, ndërsa u kishin kërkuar të blinin në farmaci sërumin që ndodhej në ambientet e spitalit. Ndërkohë që për këtë ngjarje ka reaguar edhe Urdhëri i Mjekut.