E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, zhduket prej 5 ditësh një 30-vjeçar, nëna apelon për ndihmë

KORCE - Një 30-vjeçar nga qyteti i Korçës rezulton i zhdukur prej 5 ditësh. Armando Abdullaj, i sapo kthyer nga emigrimi në shtetin grek, ka dalë nga shtëpia mesditën e së martës, pas një telefonate dhe prej atëherë nuk është kthyer më në shtëpi.

Familjarët tregojnë se 30-vjeçari është njeri i qetë dhe nuk ka pasur konflikte, ndërsa hedhin dyshime të forta tek puna e tij, pasi i riu prej kohësh kishte tërhequr nga banka kursimet familjare dhe i jepte ato borxh.

“Çdo 10 minuta e merrja në telefon, deri në orën 12 të natës nuk u përgjigj, e mora prap në mëngjes zilja nuk binte. Djalin e kam të mirë nga çdo anë. Kishte afro një vit që rrinte këtu, vinte ikte, dhe jepte lekë borxh. I hoqëm nga arka dhe një person di unë që i kemi dhënë borxh. Shuma ishte fillimisht 14.5 milionë , pastaj siç merrte fitimet i kishte dhënë më vonë edhe 3 milionë.”- tregon nëna e 30-vjeçarit.

Ndërkohë policia e Korçës ka nisur hetimet, ndërsa paraprakisht pohon se nuk ka asnjë gjurmë të 30-vjeçarit.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›