Korçë- I parburgosuri hyn në grevë urie, pretendon pafajësinë
Korçë- Një i paraburgosur në Burgun e Sigurisë së Lartë në Korçë ka hyrë në grevë urie pasi pretendon se është i pafajshëm.
Pak kohë më parë gjykata vendosi masën e sigurisë burg pa afat për 27- vjeçarin Juxhin Kullën, pasi në automjetin e tij është gjetur një sasi prej 5.6 gram lëndë narkotike e llojit heroinë.
Sipas tij droga e gjetur në makinë nuk është e tija, ndërsa nëna e tij ka vënë në dieni për këtë fakt edhe Prokurorinë, duke thënë se nëse nuk zbardhet e vërteta djali i saj do të vijojë grevën. Nëna pretendon se persona të tjerë e kanë futur në kurth 27- vjeçarin, duke i lënë në makinë një sasi droge, njëri prej të cilëve pretendohet se mund të jetë punonjës policie.
Kulla është me precedent penal pasi para katër muajsh është liruar nga burgu pas vuajtjes së dënimit me 4 vite burg për trafikim lëndësh narkotike sëbashku me 5 persona të tjerë.
Gjatë arrestimit të tyre është sekuestruar një sasi prej 27,2 kilogramë heroinë, 579 gramë kokainë, 133,5 kilogram marijuanë, si 116,6 kilogramë përzierës.
/IDEA/