E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, Ben Blushi rikthehet në krye të protestës

SHKRUAN: Irena Vreto 05-02-2011 10:01

Demonstrata e opozitës në kryeqendrën e juglindjes është zhvilluar e qetë dhe pa incidente. Protestuesit e ardhur nga dy qarqe kanë nisur marshimin në orën 14.00 në të dy rrugët kryesore të Korçës. Deputetët socialistë të qarqeve respektove, si Pandeli Majko, Ben Blushi, Olta Xhaçka, Mimi Kodheli, Valentina Leksaj, Shega Ligori, Taulant Balla etj., kanë qenë në krye të këtij demonstrimi. Protestuesit me parulla në duar kundër qeverisë kanë kërkuar largimin e kryeministrit Berisha. Ata kanë vijuar ecjen e tyre të pashqetësuar nga forcat e policisë, prania e të cilave ndonëse ka qenë e konsiderueshme, ka qenë larg turmës. Në këtë demonstratë nuk ka patur fjalime, ndërsa në fund të saj Pandeli Majko ka pohuar se me këtë demonstratë ka fituar Korça dhe gjithë Shqipëria. Pas lëvizjes nga stadiumi “Skënderbeu” i qytetit, aty ku ka startuar demonstrata, lëvizja ka vazhduar përgjatë bulevard “Republikës”, ndërkohë që ishte parashikuar një qëndrim përpara dy institucioneve në varësi nga qeveria, si Prefektura dhe Këshilli i Qarkut, por që nuk është realizuar. Më pas lëvizja është zhvendosur në bulevardin tjetër “Gjergj Kastrioti”, për të vazhduar te sheshi para teatrit “Andon Z. Çajupi”, për të ecur sërish në drejtim të stadiumit, aty ku dh ka nisur kjo lëvizje e qetë e demonstruesve. Një furgon me megafon udhëhiqte demonstruesit, duke hedhur parulla kundër qeverisë dhe problemeve që ka sjellë ajo për shqiptarët. Më pas shpërndarja ka vazhduar e qetë dhe pa probleme, ndërsa protestuesit janë shpërndarë duke u kthyer në vendet nga ku ata kanë ardhur, duke filluar nga Elbasani, Gramshi, Librazhdi, Cërriku, Peqini;p për të vazhduar dhe në Devoll, Ersekë, Pogradec, Maliq dhe fshatrat përreth Korçës. Mësohet nga burime policore se rreth 200 forca policie janë aktivizuar në të gjithë qytetin nga orët e para të mëngjesit të të premtes për të krijuar kushtet e zhvillimit të një proteste të qetë. Ndërkaq, policia ka qëndruar shumë larg grumbullimit, ndonëse e ka mbajtur atë në vëzhgim gjatë gjithë kohës. Në Korçë kanë mbërritur forcat e ndërhyrjes së shpejtë, për të patur situatën nën kontroll të plotë në rast të ndonjë incidenti të mundshëm, që për fat të mirë nuk ka ndodhur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›