Vlorë-Skelë, protestuesit mbushin bulevardin
Ashtu siç edhe kishin paralajmëruar, socialistët e qarqeve të Jugut: Fier, Gjirokastër e Vlorë u mblodhën dje në qytetin bregdetar në protestën e organizuar nga opozita. Rreth orës 14.00 socialistët i janë bashkuar sheshit në Skelë. Qarkullimi është bllokuar në bulevardin Vlorë-Skelë. Në pjesën para stadiumit, ku nisi edhe protesta, kanë qenë deputetët e Vlorës, Eltar Deda, Luiza Xhuvani, Fatmir Toçi, si dhe të qarqeve të tjera. Bashkë me ta kanë qenë gjithashtu Gramoz Ruçi, Ethem Ruka, Arta Dade, Ermelinda Meksi, por edhe të tjerë përfaqësues të opozitës. Me parullën "Zgjedhje të parakohshme”, e cila shtrihej në tërë gjerësinë e bulevardit, të rinjtë kanë nisur marshimin, ndjekur nga të tjerë të rinj me flamuj e parulla në duar. Pjesëmarrësit kanë hedhur parulla si "O Sali o kusar, ti që vrave tre shqiptarë", "Poshtë qeveria", "Ik" etj., ndërkohë që parullat "Ne të gjithë jemi puçistë", "Mos prek prokurorinë", "Qeveri plus LSI = Varfëri", "Të zbardhet e vërteta e 21 janarit" dalloheshin në radhët e para.
Protestuesit i janë drejtuar më pas rrugës kryesore. Prania e qytetarëve në Sheshin e Flamurit ka qenë e lartë. Dy të rinj gjatë gjithë kohës, nëpërmjet altoparlantit, kanë hedhur parulla kundër qeverisë, të cilave u është bashkangjitur edhe zëri i protestuesve. Qytetarët e pranishëm në protestë kanë përshkruar gjithë rrugën kryesore, Sheshin e Flamurit, dhe i janë drejtuar më pas hyrjes së qytetit. Fundi i protestës është shënuar pranë ish-fabrikës së tullave. Turma është ndalur aty, ku edhe janë intensifikuar thirrjet kundër qeverisë dhe Berishës.