Zyhdi Dajti në Prokurori: Si e pashë vrasjen e Ziver Veizit
Kreu i Policisë Bashkiake është marrë në pyetje për 2 orë e gjysmë në Prokurorinë e Tiranës, ku ka dëshmuar mbi vrasjen e Ziver Veizit, rolin e tij në organizimin e demonstratës dhe dhunën e ushtruar
Tiranë Pas pyetjes së të paktën 10 dëshmitarëve të pranishëm gjatë vrasjes së Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës në demonstratën e 21 janarit, Prokuroria mori dje dëshminë e Zyhdi Dajtit, kreu i Policisë Bashkiake. Dajti, sipas Prokurorisë, është një nga dëshmitarët kryesorë, jo vetëm në vrasjen e Ziver Veizit, i cili u qëllua vetëm pak metra larg portës nr.1 të Kryeministrisë, por edhe si një prej njerëzve kryesorë të opozitës, i angazhuar në organizimin e demonstratës. Dajti, i cili ka mbajtur më parë detyra të rëndësishme në Gardën e Republikës, ka mbërritur në Prokurorinë e Tiranës rreth mesditës së djeshme, ku ka qëndruar më shumë se dy orë e gjysmë. Gjatë përballjes me grupin e hetimor që po heton ngjarjet e 21 janarit, Zyhdi Dajti ka shpjeguar rolin e tij në demonstratë dhe përpjekjet e vazhdueshme për të qetësuar turmën e demonstruesve. Kreu i Policisë Bashkiake ka pranuar në Prokurori se demonstruesit kanë qëlluar në drejtim të Kryeministrisë, por pa tentuar të hyjnë brenda rrethimit të saj, veprim i cili është penguar edhe nga vetë ai. Sikundër shfaqet edhe në pamjet filmike të transmetuara nga të gjitha mediat, Dajti, në mënyrë të vazhdueshme u ka bërë thirrje demonstruesve të qetësohen dhe të mos hyjnë brenda territorit të Kryeministrisë, sidomos pas shpërthimit të portës me dhunë. Pikërisht në këtë moment, një prej protestuesve u qëllua nga një plumb që dyshohet se ka ardhur nga një prej gardistëve që ndodhej në hyrje të tunelit të Kryeministrisë. Rreth kësaj ngjarjeje, dëshmitari ka sqaruar para prokurorëve se në momentin kur është qëlluar Ziver Veizi, ai ndodhej me shpinë nga Kryeministria dhe ka parë vetëm rrëzimin e viktimës. Gjithashtu, Dajti ka sqaruar se ka bërë thirrje për të ndihmuar viktimën dhe menjëherë ka vrapuar drejt tij për t’i dhënë ndihmën e parë. Sipas burimeve, mësohet se pjesa më e madhe e pyetjeve të prokurorëve është përqendruar në rolin e tij në këtë demonstratë, mënyrën se si ishte organizuar ajo, qëllimin që kishte dhe arsyet përse gjithçka shpërtheu në dhunë, duke sulmuar edhe objektin e Kryeministrisë. Të gjitha pyetjet e Prokurorisë kanë marrë përgjigje nga Dajti, por burimet u treguan tepër të rezervuara për të dhënë detaje rreth përmbajtjes së dëshmisë. Konfirmohet se kreu i Policisë Bashkiake ka shpjeguar me detaje gjithçka ka parë në demonstratën e 21 janarit dhe veçanërisht gjatë kohës kur Garda e Republikës ka nisur të përdorë armët e zjarrit. Ende nuk dihet nëse Dajti, i cili ndodhej fare pranë viktimës së dytë, Ziver Veizit, ka parë apo identifikuar personin që qëlloi në drejtim të tij. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se të tre viktimat dhe të plagosurit e kësaj ngjarje janë qëlluar nga dy ushtarë të Gardës, ndaj të cilëve Prokuroria e Tiranës që prej datës 22 janar ka lëshuar urdhër-ndalime. Dëshmia e Dajtit, sipas Prokurorisë, është e para për sa i përket personave të cilësuar si organizatorë të demonstratës së 21 janarit, ku humbën jetën 3 persona dhe u plagosën disa të tjerë. Pas tij, grupi hetimor që ka në dorë dosjen “21 janari”, pritet të ftojë për të dhënë dëshminë rreth këtyre ngjarjeve dhe organizimit të demonstratës, edhe deputetë të Partisë Socialiste, të cilët kanë pasur rol aktiv në këtë çështje. Dëshmitë e tyre, sipas akuzës, pritet të hedhin ditë mbi ngjarjet e dhunshme të asaj dite, kur demonstrata e paralajmëruar nga Partia Socialiste u kthye në protestë të dhunshme dhe përfundoi me bilanc tragjik.