Korçë, Berisha batuta me Majkon: Ti je Burrë! Blushi mu fsheh në qilar
Kryeministri Sali Berisha uron besimtarët e krishterë në Korçë. Berisha premton se qeveria do të nisë ndërtimin e muzeut të artit mesjetar dhe do të lirojë në të njëjtën kohë të gjitha mjediset që i përkasin Kishës Ortodokse.
TIRANË Kryeministri Sali Berisha nuk i është shmangur batutave në Ditën e Pashkës, teksa dje ka zhvilluar një vizitë në Kishën Katolike të Korçës. Në urimet për Ditën e Pashkës, në Kishën Katolikë të Korçës, kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Andrea Mano, ka qenë në të njëjtin orar me kandidatin tjetër të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Niko Peleshi, i cili shoqërohej nga deputeti socialist, Pandeli Majko. Në këtë vizitë krejt të rastësishme, kryeministri Berisha (duke iu referuar vizitës së mëparshme të zhvilluar në Kishën Ortodokse) ka shkëmbyer batuta me Majkon, duke ironizuar se deputeti tjetër i këtij qarku, Ben Blushi, ishte larguar teksa kishte parë Berishën të futej në Kishë. “Shkova te Kisha Ortodokse dhe kur u futa unë atje, Ben Blushi sa më pa, iku dhe u fut në qilar”, - tha kryeministri duke shkaktuar të qeshura. “Ti u tregove burrë se të paktën erdhe dhe u fute këtu, edhe pse e dije që unë isha këtu”, - i tha Berisha, Majkos. Berisha i është rikthyer edhe incidentit me makinën e Blushit në Korçë. “Blushi i ka ra makinës së vet që të rrisë kredencialet e veta, se ai e di që Rama humbet”, - tha Berisha. Ndërsa deputeti socialist Pandeli Majko i është përgjigjur: “Lëri këto doktor se jemi në shtëpinë e zotit”. Ndërkohë, me rastin e Ditës së Pashkës, kryeministri Berisha u përcolli urimet të gjithë besimtarëve të krishterë. “Është rasti të shpreh urimet e mia më të përzemërta për të gjithë besimtarët ortodoksë dhe katolikë korçarë, por edhe për të gjithë besimtarët e krishterë të mbarë Shqipërisë dhe besimtarët e Zotit në Shqipëri, në këtë ditë të madhe, ditë të bekuar, ditën e ngjalljes së Krishtit, ngjalljes së përjetësisë, besimit, shpresës, mirësisë. Ditë kjo, që frymëzon njeriun për një përpjekje të vazhdueshme, për një besim të palëkundur tek Zoti, tek vetja, tek e ardhmja. Shpreh kënaqësinë të festojmë këtë vit Pashkën më mirë se kurrë, më europiane se kurrë, me lëvizje të lirë pa viza, që përbën një arritje të jetës sonë. Gjithashtu, shpreh kënaqësinë që festojmë në një fushatë zgjedhore, e cila përbën edhe kjo një zhvillim të rëndësishëm për demokracinë shqiptare dhe për demokracinë e vendit. Ndaj edhe formuloj urimet e mia më të përzemërta për të gjithë shqiptarët”, - tha dje Berisha. Kryeministri i vendit theksoi gjithashtu se gjatë takimit të zhvilluar në Kishën Ortodokse, ai kishte premtuar se vitin që vjen, qeveria do të nisë ndërtimin e muzeut të artit mesjetar dhe të lirojë në të njëjtën kohë të gjitha mjediset që i përkasin kishës.