E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani në krye të Rendit, Kuvendi voton sot në seancë të paparashikuar

Kuvendi njoftoi mbledhjen e seancës plenare, sot në orën 14:00 për të votuar dekretet e Presidentit për emërimin e Nishanit në Ministrinë e Brendshme

Dekreti i Presidentit, Bamir Topi, për emërimin e Bujar Nishanit në krye të ministrisë së Brendshme do të mbledhë sot Kuvendin, në një seancë të paparashikuar. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Kuvendi i Shqipërisë njofton të gjithë deputetët se seanca ku pritet të votohet për emërimin e Nishanit do të mblidhet sot në orën 14:00. “Njoftohen deputetët se Kuvendi mblidhet në seancë plenare ditën e hënë, në datë 25 prill. Seanca plenare mblidhet për shqyrtimin e dekreteve të Presidentit të Republikës, me kërkesë të kreut grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi”, -thuhet në njoftimin për shtyp, të shpërndarë mbrëmjen e djeshme nga zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë. Mesdita është caktuar si orë e përshtatshme për votimin e ndryshimeve në qeveri, për shkak të angazhimit të deputetëve për zgjedhjet vendore. Rikthimi i Bujar Nishanit në krye të Ministrisë së Brendshme, pas dorëheqjes së kandidatit për Tiranën, Lulzim Basha, u firmos të mërkurën nga Kryeministri Sali Berisha. Propozimi i shkoi Presidentit Bamir Topi një ditë përpara seancës plenare të së enjtes, por dekretet presidenciale për shkarkimin e Nishanit si ministër i Drejtësisë dhe emërimin e tij në krye të Ministrisë së Brendshme u firmosën dy orë pas mbledhjes së Kuvendit, pa mundur të hidhen në votim. Nga ana tjetër, seanca e së enjtes ishte e fundit e parashikuar për këtë muaj nga Kuvendi i Shqipërisë, i cili vendosi seancën e paparashikuar për të “legalizuar” emërimin e Nishanit në krye të Ministrisë së Brendshme. Emërimi i Bujar Nishanit në vendin e lënë bosh nga Lulzim Basha ishte i vetmi ndryshim në qeveri, para zgjedhjeve lokale. Kryeministri Sali Berisha vendosi të bënte këtë lëvizje, për vetë rolin e rëndësishëm që Policia e Shtetit ka në procesin zgjedhor. Dy portofolet e mbetura bosh, ai i ministrit të Drejtësisë dhe i ministrit të Kulturës pritet të plotësohen pas zgjedhjeve lokale të 8 majit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›