Autostrada e re, Elbasani, vetëm 15 minuta larg Tiranës
Elbasani, vetëm 15 minuta larg Tiranës. Autostrada e re, e planifikuar të mbarojë brenda 24 muajve të ardhshëm, ka qenë në fokus të një konference të organizuar nga “Fondacionin për Liri Ekonomike”, dy ditë më parë në qytetin e Elbasanit. Konferenca me temë: “Zhvillimi i qëndrueshëm rajonal: Elbasani pas projektit të autostradës dhe tunelit” ishte thirrur nga ana e kandidatit të “Aleancës për Qytetarin” për Bashkinë e Elbasanit, Durim Hushi, ku u diskutua impakti që do të ketë autostrada në zhvillimin e qytetit, por edhe të gjithë rajonit. Gjatë fjalës së tij, kandidati Hushi theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme të projektit madhor të autostradës Elbasan – Tiranë. “Sot ajo rrugë është realitet, por në Elbasan pak po diskutohet për impaktin e saj”, -tha kandidati i “Aleancës për Qytetarin” në Elbasan, Durim Hushi. Lidhur me qëllimin e iniciativës së tij për organizimin e konferencës, Hushi tha se kjo i shërbente diskutimit për të kuptuar se ç’duhet bërë me impaktet që do të sjellë autostrada e re dhe specifikisht për të kuptuar se çfarë masash duhet të marrë Bashkia e Elbasanit, për të përfituar maksimalisht nga ky investim madhor i qeverisë. “Ne sot këtu jemi për t’ju ftuar juve që të gjithë së bashku të diskutojmë rreth këtij projekti, por edhe projekteve të tjera që kanë të bëjnë, jo vetëm me rrugën si ndërtim, pasi kjo tashmë është e zgjidhur, por çfarë duhet të bëjmë në përputhje me impaktet e jashtëzakonshme që kjo rrugë i imponon të gjithëve” – u shpreh Hushi. Të ftuar në këtë konferencë ishin dhe ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, rektori i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Liman Varoshi, si dhe pedagogët Henri Çili dhe Nevila Xhindi të Universitetit Europian të Tiranës dhe pedagogët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Ali Turhani dhe Nada Krypa. Gjatë fjalës së tij, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi bëri një pasqyrë të të gjithë projektit që, sipas tij, pritet të përfundojë brenda një afati prej 18 – 24 muajsh. “Në studimin e fizibilitetit që ne bëmë, impakti financiar i kësaj rruge ishte shumë i madh. Autostrada ka parametra shumë të mirë; ka një gjatësi 26 kilometra, do të ketë 3 nyje të rëndësishme, përtej pikave të tjera të aksesit; ka një tunel 2.2 kilometra të gjatë; ka 28.2 metra gjerësi; 2 korsi nga secili krah nga 3.5 metra, plus 2 korsi emergjence nga secili krah, me nga 3 metra gjerësi”, - tha Olldashi, duke theksuar se kjo rrugë është e standardeve europiane. “Pra, nëse askush nuk do të shkelë rregullat e Qarkullimit Rrugor, distanca Tiranë – Elbasan do të përshkohet në rreth 15 minuta”, - shtoi Olldashi, duke e cilësuar ndërtimin e rrugës një zhvillim shumë pozitiv, sepse e shkurton me 75% kohën e tanishme të udhëtimit. Sa i përket impaktit ekonomik, Olldashi u shpreh se pritet që nga kjo rrugë Elbasani të ketë një fitim prej 7-8 milionë eurosh në vit. “Ne parashikojmë që impakti ekonomik për qytetin e Elbasanit do të jetë në 7-8 milionë euro në vit. Besoj që do të jetë më tepër, sepse ju thashë që me vënien në funksion të boshtit qendror të jugut, Elbasani dhe Tirana do të jenë praktikisht të pashkëputura, sepse distanca prej 15 minutash, veçanërisht për shkëmbimin e mallrave, nuk është asgjë dhe kjo bën që zona industriale e Elbasanit të rivitalizohet – u shpreh ministri Sokol Olldashi.
Edhe referuesit e tjerë në këtë konferencë paraqitën impaktet që do të ketë ndërtimi i kësaj rruge dhe rëndësinë jetike të saj. Rektori i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Liman Varoshi u shpreh se me ndërtimin e kësaj rruge pritet të ketë një rritje cilësore të institucionit që ai drejton. Pedagogët e tjerë, pjesëmarrës në këtë konferencë, paraqitën impaktet e pritshme përsa i përket rritjes ekonomike të zonës së Elbasanit. Sipas tyre, ndërtimi i rrugës Tiranë – Elbasan do të sjellë një rritje të ndjeshme të nivelit ekonomik, në zonat pranë autostradës, por kryesisht në Elbasan dhe në periferitë e Tiranës.
Në fund të këtij takimi, të gjithë pjesëmarrësit dolën në konkluzionin së përfundimi i kësaj rruge do të sjellë një tjetër epokë për qytetin e Elbasanit, si në aspektin ekonomik ashtu dhe në atë intelektual e kulturor, pasi vetëm 15 minuta larg Tiranës, Elbasani do të ketë të gjithë potencialin për t’u shndërruar në qytetin e dytë më të rëndësishëm në vend.
Hushi: ǒduhet bërë me impaktet
që rruga na imponon të gjithëve
Kandidati për Bashkinë e Elbasanit, Durim Hushi pohoi në konferencën e zhvilluar nga “Fondacionin për Liri Ekonomike” se ka ardhur koha të flitet për impaktet që do të ketë rruga e re në zhvillimin e Elbasanit. “Ajo që konstatoj është se në Elbasan, pak po diskutohet në lidhje me impaktet. Gjatë këtyre javëve, që po merrem me problemet e hartimit të programit, sigurisht që më rezulton një Elbasan me problematikat që ne të gjithë njohim së bashku, por problematika më e madhe ka të bëjë me faktin që këtu qarkullon shumë pak lekë, bëhet një jetë e vakët, pasi mungon dinamika dhe ritmi i jetës. Është krejt ndryshe nga shumë qytete kryesore të vendit. Kështu që bashkë me detyrimin që kisha për të bërë një program, në momentin që e filluam atë program, bashkë me shumë miq të mij, specialistë të njohur të Elbasanit të shumë fushave të ndryshme, pjesë të rëndësishme të programit, pa pritur dhe pa kuptuar kishin vetë defektet. Gjithçka që lidhet me zhvillimet e 4 viteve të ardhshme të Elbasanit, nuk mund të shkëputet nga impakti që do të ketë kjo rrugë. Kuptuam që dhe vetë ishim deficitarë dhe e kishim të vështirë të pasqyronim atë çfarë ndodhte ose çfarë sillte ndërtimi i një rruge të tillë. Në këto kushte iu drejtova “Fondacionit për Liri Ekonomike”. Pavarësisht se ne kemi bërë një program, i cili është shumë i mirë, pavarësisht faktit se Elbasani ka shansin sot të ketë dy programe, një program qeveritar për elbasanasit dhe një program të kandidatit për elbasanasin, për mua është shumë e rëndësishme që ta kuptojmë të gjithë që impaktet e jashtëzakonshme që sjell kjo rrugë për jetën e Elbasanit, nuk pretendoj që në programin tonë të jenë të zgjidhura realisht 100%. Këtu flitet për zhvillime të qëndrueshme. Është shumë e vështirë të komunikosh sot me publikun elbasanas, se çfarë do të thotë zhvillim i qëndrueshëm i Elbasanit, sepse ka dy lloj zhvillimesh të qëndrueshme. Ka si ky i deritanishmi, i cili zhvillim është, por është me një ritëm shumë të ulët. Ka dhe një lloj tjetër zhvillimi të qëndrueshëm, i cili imponohet. Këtu është problemi a do jemi ne në gjendje, stafi i ri i bashkisë, t’i përgjigjemi kërkesave të jashtëzakonshme që imponon kjo rrugë përsa i përket zhvillimeve të ardhshme, për të cilat unë do të thosha afatshkurtra, sepse pas dy vitesh këtu gjithçka do të jetë e zgjidhur. Ne sot këtu jemi për t’u thënë juve, për t’ju ftuar juve, që të gjithë së bashku të diskutojmë rreth këtij projekti, por edhe projekteve të tjera që kanë të bëjnë, jo vetëm me rrugën si ndërtim, pasi kjo tashmë është e zgjidhur, por çfarë duhet të bëjmë në përputhje me impaktet e jashtëzakonshme që kjo rrugë u imponon të gjithëve.