E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS çon në Kolegj vendimin e KQZ për kasetat e kandidatëve

SHKRUAN: Fejzi Braushi 25-04-2011 13:32

Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nëpërmjet të cilit operatorët televizivë detyrohen që të pranojnë filmimet e regjistruara nga vetë subjektet apo kandidatët pjesëmarrës në zgjedhjet vendore, përfundon në Kolegjin Zgjedhor. Partia Socialiste pritet të dorëzojë sot në Gjykatën e Apelit në Tiranë padinë e saj, duke kërkuar shfuqizimin si në kundërshtim me ligjin zgjedhor të vendimit 460 të KQZ-së “Për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në radiotelevizionet publike dhe private për zgjedhjet e qeverisjes vendore të vitit 2011”, i miratuar me vetëm votat e mazhorancës ditën e shtunë.

Padia

Menjëherë me publikimin e vendimit Nr.460 nga KQZ, në faqen e saj zyrtare, selia rozë ka nisur punën për të hartuar kërkesë padinë për në Kolegjin Zgjedhor, për të kërkuar shfuqizimin e tij si të pabazuar në ligj. Avokatët e kësaj force politike që merren me çështjet zgjedhore, mësohet se kanë bërë gati të gjithë tekstin e kësaj padie dhe ditën e sotme pritet ta paraqesin atë për ankimim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit. Nga sa mësohet nga burime pranë PS-së, kërkesa godet të dyja pikat e këtij vendimi, si atë që të detyrojë operatorët televizivë që të pasqyrojnë jo vetëm fushatën e subjektit, por edhe të kandidatit, ashtu edhe pikën e dytë që ka të bëjë me pranimin e kasetave të gatshme. Duke iu përmbajtur edhe logjikës së shprehur, në mbledhjen e KQZ-së, ku u miratua ky vendim, socialistët në kërkesën e tyre përsa i përket pikës së parë argumentojnë se Kodi Zgjedhor bën fjalë për fushatë të subjekteve zgjedhore dhe jo të kandidatëve, ndaj ky përshtjellim që KQZ i ka bërë kësaj pike, nuk ka bazë ligjore dhe se nuk mund të detyrojë një televizion që të pasqyrojë në mënyrë të detyrueshme fushatën e një kandidati. Ndërkohë që përsa i përket pikës së dytë asaj të “kasetave” socialistët në akt-padinë e tyre vënë theksin se së pari ligji zgjedhor nuk parashikon një detyrim të tillë dhe së dyti, ky vendim bie ndesh me parimet apo ligjet e tjera me të cilat funksionon gazetaria profesionale.

Vendimi

Pasi hezitoi fillimisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi ditën e shtunë, në një mbledhje të posaçme, një vendim me dy pika (projekt-akti i një dite më parë kishte 7 pika), me anë të të cilit synohej të vendoseshin rregulla të qarta për pasqyrimin e paanshëm të fushatës elektorale nga operatorët radioteleviziv. Kështu, në pikën e parë të këtij vendimi përcaktohet se janë subjektet zgjedhore ato që përcaktojnë ndarjen e kohës së pasqyrimit të fushatës midis fushës kombëtare dhe fushatës së kandidatëve për kryetar bashki/komune. Gjithmonë sipas këtij vendimi, kjo ndarje kohore duhet t’u dërgohet përpara fillimit të fushatës operatorëve radiotelevizivë dhe Bordit të Monitorimit të Mediave. Ndërkohë që operatorët radiotelevizive janë të detyruar të respektojnë pasqyrimin e fushatës sipas ndarjes së përcaktuar nga subjekti zgjedhor dhe në rast të mospasqyrimit nga operatorët radiotelevizivë, të fushatës zgjedhore sipas ndarjes kohore te propozuar nga subjekti zgjedhor, Bordi i Monitorimit të Mediave i propozon KQZ të urdhëroj operatorët për kompensim të kohës së transmetimit për arritjen e raporteve kohore te propozuara. Ndërkohë që në pikën e dytë, me qëllim plotësimin e detyrimit për pasqyrim të barabartë të fushatës zgjedhore midis subjekteve zgjedhore, në rast të pamundësisë së mbulimit me resurset e veta, televizioni i ilustron aktivitetet e fushatës me filmimet e aktiviteteve të vëna në dispozicion nga kandidatët/subjektet përkatëse. Megjithatë, vendimi në fund të tij përcakton se është televizioni ai që përzgjedh në mënyrë të drejtë dhe profesionale dhe në asnjë rast në dëm të subjektit, planet e nevojshme për ilustrim të aktivitetit nga kasetat e paraqitura nga subjekti apo kandidati.

Vendimi

1.Subjektet zgjedhore duhet të përcaktojnë ndarjen e kohës së pasqyrimit të fushatës midis fushatës kombëtare dhe fushatës së kandidatëve për kryetar bashki/komune. Kjo ndarje duhet t’u dërgohet përpara fillimit të fushatës operatorëve radiotelevizivë dhe Bordit të Monitorimit të Mediave. Operatorët radiotelevizive janë të detyruar të respektojnë pasqyrimin e fushatës sipas ndarjes së përcaktuar nga subjekti zgjedhor. Bordi i Monitorimit të Mediave monitoron respektimin e raporteve kohore t transmetimit, sipas kërkesës së subjektit zgjedhor. Në rast të mospasqyrimit nga operatorët radiotelevizivë, të fushatës zgjedhore sipas ndarjes kohore te propozuar nga subjekti zgjedhor, Bordi i Monitorimit të Mediave i propozon KQZ të urdhëroj operatorët për kompensim të kohës së transmetimit për arritjen e raporteve kohore te propozuara.

2.Me qëllim të plotësimit të detyrimit për pasqyrim të barabartë të fushatës zgjedhore midis subjekteve zgjedhore, në rast të pamundësisë së mbulimit me resurset e veta, televizioni i ilustron aktivitetet e fushatës me filmimet e aktiviteteve të vëna në dispozicion nga kandidatët/subjektet përkatëse. Televizioni përzgjedh në mënyrë të drejtë dhe profesionale dhe në asnjë rast në dëm të subjektit, planet e nevojshme për ilustrim të aktivitetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›