Logot e partive mbajnë peng fletën e votimit
Mungesa e logove të partive që marrin pjesë në garën elektorale mbajnë peng miratimin e modelit të fletës së votimit. KQZ-ja ra dje dakord që të mbështesë modelin ku emrat e koalicioneve të shënohen në anë të fletës majtas, por janë ende disa specifika për t‘u bërë, si rasti i logove të partive, por edhe të gjendet zgjidhja për mënyrën se si do të shënohet Partia Aleanca Maqedonase për Integrim Evropian, emri i së cilës është mjaft i gjatë dhe nuk mjafton hapësira e kutisë që të shënohet e plotë. Fleta e votimit ka ndryshuar disa germa, por pa ndryshuar germën e emrit të partisë dhe të siglës së saj. Ka një zmadhim të germës së emrit dhe mbiemrit të kryetarit të partisë. Janë bërë specifikime për të fituar hapësirën që kërkonin 10 subjekte shtesë. Sa u përket varianteve, përfaqësuesi juridik i PD-së, Njazi Kosovrasti, shprehu mbështetjen për variantin ku koalicionet të jenë anash. "Vetëm një ndryshim, kolona vertikale e emrit të koalicionit të zbardhet. E dyta mendoj se emrat e kryetarëve të partive të jenë të gjitha me germa të mëdha. E treta, germat e disa kryetarëve partish janë më të mëdha, disa janë më të vogla. P.sh. Neritan Ceka e ka germën më të madhe", tha ai. Edhe përfaqësuesi juridik i PS-së, Genc Gjonçaj, shprehu mbështetjen për versionin ku emri i koalicionit të shënohet anash. "Ky është një nga variantet më të mira. Jemi dakord që koalicionet të jenë anash. Besoj se vërejtja për një unifikim të një mënyre për të gjithë emrat e kryetarit mbetet", deklaroi Gjonçaj. Ndërsa kreu i KQZ-së vuri në dukje se problem janë logot e partive. Ai vuri në dukje se nëse partitë nuk sjellin logot, ato nuk do të munden të pasqyrohen në fletën e votimit. "Ka edhe një problem tjetër. Po ta vini re, vetëm koalicioni ‘Bashkimi për ndryshim‘ i ka të gjitha logot, të tjerave u mungojnë. Nëse partitë nuk i sjellin logot nuk do mund të pasqyrohen", tha ai. Njëkohësisht, sa i përket çështjes së AMIE-s, një propozim ishte që të hiqet fjala evropian, por më parë duhet vënë në dijeni partia në fjalë.