Këshilli i Qarkut Durrës miraton pa debate buxhetin e vitit 2009
Ndryshe nga viti i kaluar, buxheti i këtij viti kap shifrën e 163 milion lekëve të reja, rreth 48 milion më shumë se një vit më parë. Ndërsa financohet nga të ardhurat vjetore, granti i qeverisë, të ardhura të trashëguara nga viti 2008. Granti i akorduar nga qeveria për këtë viti, sipas kryetarit të Këshillit të Qarkut Durrës, Seit Kërtusha, është 62 257 000 lekë. Këtij granti i shtohen edhe 10 931 000 lekë, të cilat nuk u përdorën gjatë vitit të kaluar. Ndërsa të ardhurat e planifikuara për vitin 2009 parashikon të arrijë në 31 milion lekë, ndërsa të ardhurat e trashëguara nga viti 2008 kapin shifrën e 59 761 737. Në krahasim me vitin e kaluar, buxheti i sivjetshëm për qarkun e Durrësit është më i lartë. Në vitin 2008 buxheti i akorduar për qarkun kapte shifrën e 115 milion lekë, ndërsa këtë vit janë akorduar 48 679 00 0 lekë më shumë. Sipas kryetarit të Këshillit të Qarkut Durrës, Seit Kërtusha, synimi për 2009, mbetet vazhdimi i hartimit të politikave lokale dhe rajoneve në funksion të zhvillimit ekonomik-rajonal. Investimet për vitin 2009 do të jenë 2.5 herë më të larta se në vitin 2008, ose e thënë në vlerë 55.500.000 lekë. Ndërsa objektivi kryesor mbetet financimi i studimeve dhe projektimeve në sektorë të ndryshëm, rritja e forcimit dhe kualifikimit të kapaciteteve administrative të qarkut dhe atyre lokale. Ndërkaq do të punohet edhe në sektorin e arsimit përsa i përket decentralizimit si dhe formimit profesional në nivel rajonal. Gjatë mbledhjes është kërkuar mirëmenaxhimi i fondeve që do të shpërndahen në komuna dhe bashki të qarkut. Qëllim i këtij buxheti mbetet edhe rikonstruksioni i godinës së këshillit të qarkut, që do të ndryshojë tërësisht pamje. Kjo ndërtesë në të cilën gjenden si qarku ashtu edhe prefektura së bashku me ALUIZNI-n e disa zyra të tjera, do të futet në rikonstruksion. Kryetari i qarkut të Durrësit, Kërtusha u shpreh se do të ketë shtesë kati, do të ndërrohet e gjithë pamja e jashtme si dhe do të ndërhyhet brenda në krijimin e kushteve bashkëkohore. Për të zbatuar projektin që ka kohë që pret fonde, duhen 54.690.000 lekë. Aktualisht mund të investohet 75 për qind e fondit që duhet për të mbyllur këtë projekt të rëndësishëm dhe mbetet fare pak për të mbyllur të gjithë projektin. Në katin shtesë do të ndërtohet një sallë e madhe për takime të zgjeruara në nivel qarku si dhe një sallë konferencash.