Korçë, braktisen të pastrehët e varfër

Qyteti i Korçës
35 apartamentet e ndërtuara nga enti i banesave në Korçë, të cilat priten të ndahen shumë shpejt për të pastrehët, nuk do të jepen më me të njëjtat procedura që janë dhënë deri më tani, ku përfituesi e shlyente vlerën e apartamentit nëpërmjet kësteve mujore, e cila në të njëjtën kohë nuk ishte gjë tjetër veçse qiraja mujore. Tashmë e në vijim, përfituesit të një apartamenti do ti kërkohet shlyerja e menjëhershme e kostos së banesës.
Për këtë arsye që një i pastrehë të jetë përfitues i një banese me kosto të ulet, nëse është i pastrehë i kategorisë së parë (jeton në shtëpinë e ish-pronarëve) do ti duhet të tërheqë kredi me interes zero për të blerë banesën, dhe nëse është i pastrehë i kategorisë së dytë do ti duhet të sigurojë një kredi me interes 3%.
Të gjitha këto u bënë të ditura nga drejtoresha e entit të banesave Laurteta Alidinaj. Nëse deri më sot, përfitues të banesave me kosto të ulet bëheshin edhe familjet me të ardhura të ulëta, me ndryshimin e procedurave, përfitues do të jenë vetëm ato familje që sigurojnë të ardhura të larta. Për rrjedhojë të pastrehët me të ardhura të ulëta nuk do ta kenë më këtë fat, pasi nuk japin siguri për shlyerjen e kredisë. /Vepror Hasani/