Lezhë, plagoset me armë zjarri një 17-vjeçar

Policia ne vendngjarje / Foto arkiv
Një adoleshent është plagosur me armë zjarri në Lezhë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00 në superstradën Lezhë -Tiranë vetëm një kilometër larg qendrës së qytetit të Lezhës. Burime policore kanë bërë të ditur se është qëlluar me armë zjarri pistoletë, 17-vjeçari, Klodian Ndoci, nga qyteti i Lezhës.
Mësohet se adoleshenti është qëlluar nga një person ende i paidentikifuar në një pikë karburanti. I plagosuri është transportuar në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin rajonal të Lezhës.
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe mësohet se ka shoqëruar disa persona për ngjarjen në fjalë. Policia po heton për zbardhjen e ngjarjes si dhe po punon për kapjen e autorit, i cili është larguar nga vendi i ngjarjes. /L.Kokaj/