E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, dy vëllezër plagosin me sëpatë një 21-vjeçar

Dy vëllezër kanë plagosur me sëpatë një 21 vjeçar nga Korça. Ngjarja ka ndodhur në një lokal të fshatit Sovjan për motive banale. Dy autorët e ngjarjes janë arrestuar në flagrancë. 

KORÇË - Dy vëllezër kanë masakruar me sëpatë një të ri nga rrethi i Korçës, jeta e të cilit është vënë në rrezik. Një grindje banale për pak sa nuk ka shkaktuar vdekjen e 21-vjeçarit Marsel Dautllari i cili është konfliktuar me vëllezërit Malo.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Sovjan të rrethit të Korçës rreth orës 15.00 të së shtunës. Vait dhe Agim Malo kanë qënë duke pirë në një lokal, teksa në të njëjtin ambient ndodhej dhe 21 vjeçari i cili është ngacmuar nga vëllezërit më të rritur se ai. Mësohet se fyerjet e momentit nuk kanë pasur ndonjë motiv të fortë. Plagët që i janë shkaktuar 21 vjeçarit Dautllari kanë qenë të shumta, ndërsa përgjakja ka shkaktuar panik dhe frikë në Sovjan.

Policia është njoftuar e alarmuar nga banorët e fshatit, ndërsa i plagosuri në gjendje të rëndë është transportuar për në spitalin e Korçës. Sipas burimeve zyrtare nga ky spital mësohet se Marsel Dautllari ndodhet në koma dhe situata e tij shëndetësore është mjaft e rrezikuar për momentin.

Policia e Korçës ka arrestuar në flagrancë të dy vëllezërit Malo të cilët janë kapur gjatë tentativës për t’u larguar nga fshati i tyre. Pas arrestimit të dy vëllezërve u janë sekuestruar edhe mjetet e krimit.
(a.s/News24/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›