E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë e Koplik, dy të vdekur në aksident

Rikthehen aksidentet me vdekje në rrugët e vendit. Humbin jetën një 48-vjeçar në Korçë dhe një 22- vjeçare në Malësi të Madhe

Përgjaket e diela në Malësi të Madhe dhe në Korçë. Aksidenti i rëndë automobilistik ka ndodhur në afërsi të fshatit Belorta, në kryqëzimin e rrugës nacionale me rrugën e këtij fshati. Sipas të dhënave nga vendi i ngjarjes, mësohet se një 48-vjeçar ka gjetur vdekjen, ndërsa ka qenë duke u kthyer për në shtëpinë e tij, në fshatin Belorta, me një mjet traktor pa targa. Myredin Dervishaj ka mbetur i vdekur në vend, kur një mjet tip fuoristradë, me targa KO 4000 B, e ka përplasur traktorin në momentin kur ky i fundit po kthehej në kryqëzim. Për shkak se mjeti traktor është kthyer menjëherë në mes të rrugës nacionale, ku mjetet lëvizin me shpejtësi, teksa ka qenë pa asnjë sinjal, duke hyrë në kryqëzimin e fshatit Belorta, i ka ndërprerë lëvizjen një mjeti që vinte në anën e kundërt dhe është përplasur nga një mjet që lëvizte në të njëjtin kah me të. 48-vjeçari që ka qenë në traktorin pa targa dhe, nga përplasja e fortë me mjetin tip fuoristradë, që e ka goditur nga pas, ka vdekur në vend, ndërsa në aksident janë përfshirë dy mjete krahas traktorit, duke çuar në aksident të rëndë. Sipas policisë, i plagosur ka mbetur edhe 51-vjeçari Nikollaq Tona, që ka qenë drejtuesi i mjetit tip benz, me traga KO 4000 B.

Ndërkohë, një e vdekur dhe një i plagosur rëndë është bilanci i një aksidenti automobilistik, të ndodhur mesditën e djeshme në qytetin e Koplikut, të rrethit të Malësisë së Madhe. Viktima është 22-vjeçarja Elona Demaj, nga fshati Grizhë, e ndërsa i afërmi saj ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin rajonal të Shkodrës. Sipas policisë, 2 kushërinjtë teksa udhëtonin me një mjet tip benz 240, me targa të Malësisë së Madhe 1067 D, kanë dalë jashtë rruge ku, sipas dëshmitarëve, në vendngjarje automjeti është rrotulluar disa herë duke përfunduar më pas në një fushë të hapur. Si pasojë e plagëve të rënda në trup ka gjetur vdekjen në vend, Elona Demaj, e cila ishte pasagjere ndërsa kushëriri i saj që drejtonte mjetin është dërguar në spital me plagë të rënda në trup. Sipas grupit hetimor, në vendngjarje shkak është bërë shpejtësia e madhe nga ana e drejtuesit të mjetit, i cili nga pakujdesia ka humbur kontrollin ndërkohë aksi në të cilin ndodhi aksidenti ishte në rikonstruksion. I.V.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›