E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrabanda, Elezaj dhe 2 zyrtarët, sot para Apelit

Biznesmeni i kontrabandës së naftës ‘virxhin’ dhe dy punonjësit e Tatimeve dhe Doganave do të kërkojnë ndryshimin e masës së sigurisë. Në Apel edhe dy punonjës të “Fisheku”-t

Tiranë Pesë nga 12 të arrestuarit për skemën e mashtrimit me naftën ‘virxhin’, pritet të përballen sot me masën e sigurisë në Gjykatën e Apelit. Biznesmeni Hajri Elezaj, pronari i kompanisë “Euroil”, si dhe dy zyrtarët e tatimeve e doganave, Dashamir Kasaj dhe Edmond Ferraj, do të dalin sot para Gjykatës për të kundërshtuar masën e sigurisë “arrest me burg”, që shkalla e parë vendosi ndaj tyre pak ditë më parë. Njëlloj si herën e shkuar, edhe këtë radhë, Gjykata e Apelit pritet të shprehet për masën e biznesmenit Elezaj në mungesë të tij, pasi dy ditë pas arrestimit, ai është dërguar me urgjencë në reanimacionin e kardio-kirurgjisë pas problemeve shëndetësore që ka shfaqur. Kjo pritet të jetë edhe një nga arsyet, për të cilat avokati i tij mbrojtës do t’i kërkojë Gjykatës së Apelit, ndryshimin e masës së sigurimit për pronarin e “Euroil”, i cili ka shfaqur probleme shëndetësor dhe mbahet i shtruar në spital. Gjithashtu, ndryshimin e masës së sigurisë kanë kërkuar edhe dy zyrtarët e arrestuar për “shpërdorim detyre”, inspektori i kontrollit fizik në doganën e Vlorës, Edmond Ferraj dhe inspektori i Tatimeve në drejtorinë e Tatim-Taksave në Fier. Bashkë me ta do të kërkojnë ndryshimin e masës edhe dy të arrestuarit e tjerë, punonjës të kompanisë “Fisheku”, Kadri Hajredini dhe Vladimir Koteci. Të premten e shkuar, trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari i Apelit, Gjin Gjoni vlerësoi masat e sigurisë për 7 nga të arrestuarit. Pas dëgjimit të pretendimeve të palëve, gjykata vendosi të lirojë nga qelia dy biznesmenët, Bajram dhe Martin Fisheku, pasi provat e prokurorisë nuk ishin të mjaftueshme për mbajtjen e tyre në burg. Madje, ishte vetë prokuroria ajo që kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë për Bajram Fishekun. Gjatë kësaj seance, Apeli la në fuqi të njëjtën masë sigurimi për Iljas Fishekun, administrator i kompanisë “Fisheku”, e cila sipas prokurorisë ka ndihmuar me transportin e naftës ‘virxhin’ drejt depozitave të marra me qira nga kompania “Euroil” në Golem të Kavajës. Ky fakt është pranuar para prokurorëve edhe nga biznesmenët e arrestuar, të cilët kanë deklaruar se nafta ‘virxhin’ nuk është transportuar drejt Vlorës me qëllim eksportin, por është dërguar në Golem, ku sipas prokurorisë dyshohet se është përzierë me benzinën, për t’u shitur më pas si karburant i pastër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›