E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, i sëmuri mendor merr 4 orë peng të dashurin e gruas

KORCE - Një i sëmurë mendor nga Korça ka mbajtur 4 orë peng në bodrumin e shtëpisë dhe ka rrahur fqinjin e tij, pasi dyshonte se i ngacmonte bashkëshorten. Pas denoncimit të bërë nga 34-vjeçari Kiço Mihali, policia ka nisur hetimin në gjendje të lirë ndaj 25-vjeçarit. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Korçës bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur pasditen e së dielës, në fshatin Bezimisht të komunës së Pustecit. Gjatë marrjes në pyetje, 25-vjeçari me iniciale I.Ç. ka pranuar se kishte lidhje intime me gruan e Mihalit, dhe se ishte kjo e fundit që në përpjekje për t'i dhënë fund lidhjes jashtëmartesore e kishte futur atë në kurth. Pas dëshmisë së palëve, policia ka nisur hetimin në gjendje të lirë ndaj 34-vjeçarit, i cili akuzohet për "Heqje e padrejtë e lirisë së tjetrit" dhe "Plagosje e lehtë me dashje"
NGJARJA
Sipas policisë lokale, dyshohet se prej disa muajsh, bashkëshortja e Kiço Mihalit kishte lidhje jashtëmartesore me fqinjin 25-vjeçar me inicialet I.Ç.. Ndërkohë, nëna e tre fëmijëve kishte vendosur që t'i jepte fund aventurës së saj me 25-vjeçarin. Mësohet se "çifti" ishte konfliktuar më herët, dhe në mbrëmje, sikundër ndodhte zakonisht, i riu I.Ç. kishte shkuar në banesën e të dashurës së tij për ta takuar dhe për t'u sqaruar me të, me qëllim vazhdimin e lidhjes. E vendosur për të mbyllur lidhjen në fjalë, gruaja ka refuzuar të dalë nga banesa. Ajo, sapo ka parë të dashurin e saj që po i trokiste në derën e shtëpisë, ka zgjuar bashkëshortin nga gjumi, duke i kërkuar atij që të hapë derën. Ndërkohë, i ka thënë të shoqit se fqinji i tyre e përndiqte prej disa kohësh. I acaruar nga situata në fjalë, dhe me ndihmën e bashkëshortes së tij, Kiço Mihali e ka futur me forcë të riun në ambientet e shtëpisë dhe e ka goditur me grushte në fytyrë. Më pas, dy bashkëshortët e kanë mbyllur 25-vjeçarin në bodrumin e shtëpisë së tyre, të cilin e përdornin si garazh makine. Sipas policisë, 25 vjeçari ka qëndruar i mbyllur aty për 4 orë, ndërsa 34-vjeçari kërkonte nëpër fshat kryeplakun me qëllim ballafaqimin e situatës, që sipas tij, ishte jo pak e rëndë dhe i ka cenuar familjen. Ishin komshinjtë, ata të cilët kanë dëgjuar thirrjet për ndihmë të viktimës. Me mjete rrethanore, ata kanë mundur të hapin derën e bodrumit, duke ndihmuar të riun I.Ç. të dalë nga izolimi pas 4 orësh. I tronditur psikologjikisht, 25-vjeçari ka denoncuar në Komisariatin e Policisë së Korçës.
DESHMIA E PENGUT
25-vjeçari ka pohuar në polici se ishte e vërtetë që ai kishte lidhje intime me gruan e fqinjit. "Kishim disa muaj që kishim një lidhje intime. Ajo kishte vendosur t'i jepte fund lidhjes pa më thënë asgjë mua. Shkova në shtëpinë e saj, siç edhe bëja gjithmonë, por këtë herë ajo kishte trilluar një histori, sikur unë e ngacmoja dhe i hidhja fjalë në rrugë. Kur shkova, bashkëshorti i saj flinte, se e pashë nga dritarja, por ajo e zgjoi me qëllim. Ata më mbajtën peng për 4 orë në bodrum, pa ujë dhe në errësirë. Më goditën të dy. Fatmirësisht më shpëtuan fqinjët dhe jam gjallë. Për një moment kujtova se burri i të dashurës sime do më vriste", - ka thënë i riu I.Ç.. Ndërkaq, burime të besueshme nga policia pohuan se bashkëshortja e Kiço Mihalit, i cili vuan nga probleme mendore, ishte kthyer nga Italia para disa muajsh dhe pas kthimit kishte lidhje jashtëmartesore me fqinjin. Madje bëhet me dije se bashkëshortja e të sëmurit mendor kishte pasur një tjetër flirt me një banor të fshatit, dhe më pas e kishte "denoncuar" tek i shoqi.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›