Sherr për pronën, vritet me granatë 45-vjeçari
Konflikti për pronën ka përfunduar në një sulm me granatë në qytetin e Elbasanit. Ngjarja ka ndodhur në paraditen e djeshme dhe nga shpërthimi ka gjetur vdekjen një 45-vjeçar, ndërsa djali i tij 9 vjeç ka marrë një plagë të lehtë nga një cifël granate. Sipas burimeve të policisë, 45-vjeçari nga Elbasani mbeti i plagosur mëngjesin e së dielës nga shpërthimi i një granate, që sipas hetimeve të para të policisë u hodh nga një bashkëqytetar i tij me të cilin ai ishte në konflikt për një çështje pronësie. Sipas shefit të Komisariatit të Policisë së Elbasanit, Gjelosh Prendi, 45-vjeçari Shpëtim Çollaku u plagos nga shpërthimi i një granate që u hodh nga Rifat Filja, 40 vjeç, tashmë i arrestuar nga policia. Të njëjtat burime thanë se ngjarja ndodhi në fshatin Gurabardh, pranë Ullishtës së qytetit të Elbasanit. Sipas hetimeve të para, mësohet se shkak për këtë ngjarje ka qenë një konflikt pronësie i trashëguar prej vitesh në një parcelë ullinjsh në periferi të qytetit të Elbasanit. Policia është gjendur shpejt në vendngjarje dhe e ka dërguar 45-vjeçarin e plagosur në spitalin e Elbasanit, ku me gjithë ndihmën e dhënë ai ka ndërruar jetë në orët e pasdites. Djali i vogël, A. Çollaku, mësohet se është dërguar në shtëpi pas marrjes së mjekimit në spital. Ndërkohë, policia ka mundur të arrestojë Rifat Filen rreth 30 minuta pas ngjarjes dhe një grup hetimor ka nisur punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Mendohet se konflikti për pronën mbetet një ndër shkaqet, por mund të ketë dhe motive të tjera.