E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, sherr me të dashurin, vetëhelmohet 30 vjeçarja

Vetëhelmohet 30 vjeçarja, dyshohet se është grindur me të dashurin. Një vajzë nga fshati Rëmbec në rrethin e Korçës ka tentuar të vrasë veten duke përdorur fotoksinë për tu helmuar, ndërsa është gjetur në kohë nga prindërit e saj, të cilët i kanë shpëtuar jetën me transportin e shpejtë drejt spitalit të Korçës. Duke iu referuar burimeve të policisë së Korçës, mësohet se Arjana Bajrami, pas një grindjeje në telefon me të dashurin e saj mëngjesin e djeshëm, ka vendosur ti japë fund jetës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:30 të mëngjesit të djeshëm. Pa menduar për pasojat dhe në kushtet e një depresioni, shenjat e të cilit janë shfaqur prej kohësh, 30 vjeçarja Bajrami ka konsumuar një sasi të konsiderueshme fotoksine. Kanë qenë të afërmit e saj dhe konkretisht prindërit të cilët e kanë gjetur vajzën pa ndjenja duke qenë në grahmat e fundit të jetës. Menjëherë pa e menduar se çfarë kishte ndodhur ata e kanë rrëmbyer duke e transportuar drejt spitalit të Korçës, ndërkohë që ndërhyrja në kohë e mjekëve i ka shpëtuar jetën të resë. Policia, e cila ka marrë njoftimin nëpërmjet spitalit rajonal të Korçës ka nisur hetimet, ndërsa mjekët kanë konstatuar se helmi që vajza ka përdorur ishte fotoksinë, i përdorur dendur për akte vetëvrasëse në rrethin e Korçës. Ndonëse në gjendje të rëndë Bajrami ka kaluar rrezikun për jetën. Ndërkaq kanë nisur dhe hetimet për shkaktim të vetëvrasjes mbetur në tentativë ndaj Arjana Bajramit. Vetëvrasjet për fat të mirë gjatë këtij viti janë ulur ndjeshëm, në krahasim me një vit më parë ku vetëm në rrethin e Korçës janë numëruar plot 10 viktima. Ndonëse mjetet e përdorura nga viktimat për ti dhënë fund jetës kanë qenë të ndryshme, nuk mungojnë rastet me fotoksinë si ai i ngjarjes së fundit, që për fat të mirë ka përfunduar pa jetën e vajzës që tentoi të vdesë në emër  të dashurisë dhe të një grindjeje banale me të dashurin e vet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›