Athina, në ditën e dytë të trazirave pas grisjes së Kuranit
Athina përjetoi sërish skenarin e trazirave të dhjetorit. Qindra imigrantë të besimit mysliman dolën për të demonstruar në sheshet qendrore Sintagma dhe Omonia duke marrë shkas nga një episod i disa ditëve më parë, ku sipas denoncimit të një imigranti irakian, polici grek që e kontrollonte, i grisi një kapitull të Kuranit që mbante me vete. Sipas drejtorisë së Policisë së Athinës në vazhdim protestuesit u ndanë në grupe dhe u shpërndanë drejt departamenteve të tjera duke qëlluar me mjete rrethanore forcat policore, të cilat u përgjigjën me gaz lotsjellës.
Atmosfera u elektrizua dhe më tepër dhe demonstruesit shkatërruan 75 automjete të parkuara rrugëve, por edhe vitrinat e 5 dyqaneve dhe të një banke. Policia arrestoi 46 prej demonstruesve, 7 prej të cilëve ishin të plagosur. Nga përleshjet u plagosën edhe 7 policë. Zëvendësministri i Brendshëm tha se rasti i veçantë dhe në hetim e sipër nuk i justifikon episodet, kurse zëdhënësi i qeverisë ftoi imigrantët që jetojnë në Greqi të respektojnë rendin dhe ligjin duke u kujtuar se shteti nuk do të lejojë sjellje të tilla ekstreme. Kryetari i partisë nacionaliste "Alarmi Popullor Ortodoks ", Jorgos Karaxhaferis, u kujtoi imigrantëve që të mos harrojnë se janë myslimanë të paftuar në një vend të krishterë. Kryetari i Bashkisë myslimane në Greqi, Naim Elghandour, tha se gjatë kontrolleve të policisë në dyqan, kafeje të mërkurën, pronësi e një myslimani, një oficer i mori njërit prej konsumatorëve që mbante në dorë një libër të shenjtë Kurani, e hodhi atë në dysheme dhe shkeli mbi të. Në përgjigje të kësaj, rreth 10.000 emigrantë, shumica e tyre nga Siria, Pakistani dhe Afganistani, marshuan në sheshin qendror Omonia, duke thyer edhe dritaret e dyqaneve dhe djegur pesë makina, tha një zyrtar i policisë greke.