E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, të paraburgosurit ankohen për keqtrajtime fizike

 

Pas ankesave të të paraburgosurve, kontroll i beftë në qeli. Avokati i Popullit: Të paraburgosurit kanë shenja dhune

Korçë- Dhjetëra të paraburgosur në Korçë rezultojnë të jenë me shenja të dukshme dhune në trup. Sipas të burgosurve, këto shenja kanë ardhur nga dhuna fizike që është ushtruar ndaj tyre nga drejtuesit kryesorë të dhomave të izolimit. Këtë fakt e konfirmojnë edhe vetë përfaqësues të institucionit në fjalë, të cilët kanë ushtruar një kontroll "blic" dhe kanë marrë kontakte të drejtpërdrejta me të burgosurit. Këta, përveç pretendimeve të shumta, kanë treguar dhe shenjat e dhunës, që sipas tyre janë bërë nga sjellja e "mirë" e përgjegjësit të tyre si dhe komandantit të këtyre dhomave përkatësisht, Petrit Bazellit dhe Adrian Shehu.

***

Inspektimi i Avokatit të Popullit i ka zënë ngushtë drejtuesit e burgut, të cilët nuk kanë pasur dijeni për këtë kontroll, ndërsa gjithçka është rënduar dhe më tepër kur është kërkuar që në çdo dhomë izolimi të merren në pyetje vetë të burgosurit lidhur me pretendimet që ata kanë shfaqur për rastet e dhunës. Krahas këtij, është kërkuar që ata të deklarojnë edhe faktin nëse për një periudhë iu është mohuar e drejta për të takuar të afërmit nga ana e personelit, pasi shenjat e dhunës do të zbardhnin këtë të vërtetë që mbyllej brenda mureve të qelive. Inspektimi ka konstatuar se ndaj të burgosurve ushtrohej dhunë. Këtë fakt mjaft të rëndë e ka konfirmuar për gazetën, Ervin Karamuço, drejtues i sektorit të parandalimit të torturës pranë Avokatit të Popullit. Ai ka pohuar gjithashtu se institucioni që ai përfaqëson do të nxjerrë së shpejti konkluzionet në një raport të posaçëm, ndërsa do të rekomandohen edhe masa për personat përgjegjës brenda policisë, që pretendohet se kanë ushtruar dhunë ndaj disa të burgosurve.

***

Karamuço konfirmon për gazetën se situata në dhomat e paraburgimit të Korçës është e rënduar dhe pretendimeve të shumta të rreth 100 të paraburgosurve që gjenden në izolim i shtohen edhe kushtet e këqija të tyre, si dhe mbipopullimi i qelive ku strehohen deri 6-8 persona. Të burgosurit zhvilluan një grevë urie disa kohë më parë, ndërkohë që vetëm tre ditë më parë, një pjesë e tyre u përfshinë në një protestë, e cila u përsërit më vonë për shkak të vazhdimit të keqtrajtimit të tyre sistematik. Burimet zyrtare të policisë juglindore kanë bërë të ditur se dhomat janë vizituar nga mëngjesi i djeshëm për më shumë se 6 orë për të parë nga afër rastet që pretendohen nga të izoluarit. Ndërkohë, nga ana e përfaqësuesit të Avokatit të Popullit nuk janë dhënë detaje konkrete, por mësohet se mes të burgosurve ka persona që pretendojnë se janë rrahur. Përfaqësuesi i Avokatit të Popullit ka mbajtur dëshmitë e tyre rast pas rasti në çdo takim që ka pasur me një pjesë të mirë të tyre, për të dalë më vonë në një konkluzion ku nuk do të përjashtohen as rekomandimet për masat ndëshkimore që duhet të merren në këtë situatë edhe ndaj drejtuesve të dhomave të paraburgimit. Në fakt pritet që dhe Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të nisë një tjetër grup kontrolli, ndërsa nga burime të besueshme pranë këtyre institucioneve të larta mësohet se shkarkimi nga detyra i Bazellit dhe Shehut do të jetë mjaft i shpejtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›