Korçë, verdhëza mbyll kopshtin e fëmijëve

Kopshti i mbyllur ndodhet në fshatin Sovjan dhe vendimi ekstrem është marrë pasi dy fëmijë të vegjël janë shtruar në spital të prekur nga hepatiti, i cili sipas specialistëve është shfaqur për shkak të papastërtive dhe ujërave të zeza që grumbullohen në oborr.
Vendimi i mbylljes ka lënë jashtë të paktën 70 fëmijë të vegjël. Ndërkohë, në këtë vend, ku ndodhet edhe shkolla 9-vjeçare, qëndrojnë të hapura dy gropa të mëdha ku derdhen ujërat e zeza, gjë që përbën rrezik të përhapjes së epidemisë te të paktën 200 nxënës që shfrytëzojnë terrenin sportiv.
Verdhëza ka prekur fëmijët e kopshtit, por edhe të shkollës 9-vjeçare të fshatit Sovjan. Nxënësit tregojnë se kanalizimet kanë kohë që qëndrojnë të hapura dhe në to hidhen edhe mbeturina, të cilat bllokojnë kanalet anësore.
Shpeshherë, siç tregojnë nxënësit, gjatë orës së fizkulturës topi përfundon në kanal dhe më pas merret nga të vegjlit. Ndotja e madhe ka bërë që shumë fëmijë të sëmuren, por ndërsa një pjesë marrin kurime në spital, ka mes tyre edhe nxënës që janë shkëputur nga mësimi, pasi përbëjnë rrezik për përhapjen e epidemisë te fëmijët e tjerë.
Verdhëza ka pushtuar tashmë fëmijët e fshatit në Sovjan, ndërsa prindërit që kanë vënë alarmin shprehen se do t’i heqin nga shkolla. Situata e rëndë, që pranohet edhe nga ana e Inspektoratit të Higjienës, shpjegohet me faktin se kanalizimet e ujërave të zeza janë të hapura përgjatë territorit të shkollës dhe veç të tjerash në mjediset e jashtme të shkollës dhe kopshtit nuk kryhet nga komuna pastrimi i mbetjeve inerte dhe mbeturinave të tjera.
Nga ana tjetër, shefi i shërbimit epidemiologjik në Korçë, Koço Koçi, sqaron se dhe ambientet higjieno-sanitare të vendosura jashtë janë të papastra dhe në to kanë shpërthyer ujërat e zeza. Sipas të dhënave nga shërbimi epidemiologjik rezulton se dy fëmijë të kopshtit janë prekur nga hepatiti, ndërsa shtatë të tjerë të infektuar janë nga shkolla e fshatit.
Infektimi që është përsëritur në këtë shkollë rrezikohet të përhapet te 200 fëmijë, çka bën të domosdoshme edhe mbylljen e shkollës.
Masa e parë që është marrë është mbyllja e kopshtit të fëmijëve, ndërkohë që ka nisur dezinfektimi i ambienteve në të dyja godinat, por edhe përgjatë kanaleve dhe në dy gropat e hapura në oborr.
Shefi i shërbimit epidemiologjik të Korçës, Koço Koçi, thotë se për shkak të rrezikut të përhapjes së një epidemie në zonë i është lënë detyrë komunës të kryejë mbylljen e kanalizimeve dhe pastrimin e territorit. “Nga ana e komunës nuk është marrë asnjë masë.