E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, vetëvaret gjimnazistja

Policia e Korçës

Shkon në festë pa leje, vetëvritet pas qortimeve nga prindërit. Një gjimnaziste nga fshati Sheqeras i Korcës i ka dhënë fund jetës, pasi ka debatuar me prindërit e saj. Shkak është bërë pjesëmarrja e saj në një festë me bashkëmoshatarët, ndërkohë që prindërit nuk kanë pasur dijeni. Sipas Policisë, 17-vjeçarja është gjetur e vetëvarur pasditen e së premtes në ambientin ku mbaheshin bagëtitë. Mësohet se ka qenë babai i vajzës ai që ka gjetur trupin e saj të vetëvarur. Sipas të dhënave të Policisë, “adoleshentja Made Shatro, është vetëflijuar pas sherrit me dy prindërit e saj, pasi kishte shkuar në një festë pa miratimin e këtyre të fundit”. Kthimi i saj në një orar të vonë ka sjellë  reagim të ashpër të prindërve, të cilët e kanë qortuar të bijën për largimin pa miratimin e tyre. Qortimet e tyre duket se kanë shkaktuar një tronditje në psikologjinë e vajzës, e cila ka marrë vendimin për vetëflijim. Sipas të dhënave mësohet se përplasja mes një mentaliteti të mbyllur dhe dëshirave të adoleshentes ka qenë shkaktari kryesor i përplasjes mes prindërve dhe vajzës duke e çuar atë drejt aktit fatal. Guximi i tepruar i viktimës, e cila mësohet se ndiqte vitin e tretë të shkollës së mesme, ka ngjallur edhe debatin e ashpër në familjen e saj. Mësohet se disa momente pas konfliktit, vajza ka shkruar fshehurazi familjarëve në kasollen e bagëtive dhe aty ka kryer edhe vetëflijimin. Pasi është vonuar, familjarët kanë nisur ta kërkojnë derisa babai i saj e gjeti trupin e saj në kasollen e bagëtive. Ata sinjalizuan menjëherë policinë, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes dhe nisi hetimet. Blutë morën në pyetje prindërit e viktimës, të cilët kanë konfirmuar edhe debatin brenda familjes për shkak të vonesës së bijës adoleshente pa lejen e tyre. Burime të Policisë bënë të ditur se paraprakisht dyshohet se adoleshentja e ka kryer aktin e vetëflijimit në kushtet e një gjendje emocionale të ngarkuar nga sherri i shkaktuar. Sipas të dhënave nga Policia e qarkut Korçë, prej fillimit të këtij viti janë shënuar 30 raste të vetëvrasjes. Viktimat kryesisht vetëflijohen si pasojë e gjendjeve depresive, ndërsa i përkasin moshave të ndryshme.

PRECEDENTI
Një 27-vjeçar ka varur veten pas problemeve që kishte me zemrën. Viktima është Bledi Blaceri, banues në Lagjen 5 në qytetin e Pogradecit. Ai është gjetur i vetëvarur në banesën e tij në ndërtim, paraditen e së enjtes nga familjarët. I riu nuk përballej dot me sëmundjen kardiake, e cila i rrezikonte jetën duke e nxitur të vetësakrifikohet. Burime të Policisë bënë të ditur se kanë nisur hetimin pasi janë sinjalizuar për ngjarjen. Por, paraprakisht dyshohet se vetëflijimi i të riut ka ndodhur në kushtet e një depresioni të rëndë.

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›