E Shtunë, 31 Tetor 2026

Video-përgjimi i tretë, pritet dëshmia e ish-ministrit Prifti

TIRANE – Ish-ministri Dritan Prifti pritet të merret në pyetje në Prokurorinë e kryeqytetit në lidhje me videon e tretë të regjistruar mes tij dhe një biznesmeni, në vitin 2010, në zyrën e Ministrisë së Ekonomisë. Prokuroria e Tiranës, e cila ka në hetim dosjen penale për këtë rast, ka kryer një verifikim të videos në të cilën dallohen dy personazhet, por zëri i tyre në bisedë nuk është regjistruar qartë. Sipas hetimeve, videoja në fjalë mësohet se është regjistruar pak kohë para se në zyrën e Priftit të mbërrinte ish-zv.kryeministri Ilir Meta. Mësohet se Prokuroria e Tiranës ditët e fundit ka përgatitur fletë-thirrjen për ish-ministrin Prifti, të cilit do t’i kërkohen sqarime pikërisht në lidhje me bisedën e zhvilluar në zyrën e tij me biznesmenin. Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme mësohet se deklarimet e Priftit janë të nevojshme, për shkak se regjistrimi i videos është i një cilësie të dobët dhe për pasojë zbardhja e bisedës nuk është e lehtë. Burimet e Prokurorisë së Përgjithshme kanë thënë se marrja në pyetje e dy protagonistëve të regjistrimit është e vetmja mënyrë për të zbardhur diçka rreth bisedës. Kjo është videoja e tretë që është bërë objekt hetimi për Prokurorinë, pasi organi i akuzës ka nisur hetimet për videot e para. Bëhet fjalë për regjistrimin që Prifti i ka bërë bisedës me Ilir Metën, më 10 mars 2010, në zyrën e Ministrisë së Ekonomisë dhe më pas një tjetër regjistrim i kryer nga Prifti në banesën e tij në Tiranë. Në regjistrimin e dyte, Prifti shfaqet duke marrë 70 mijë euro nga ish-zëvendësministri i Ekonomisë, Leonard Beqiraj. Ndërkohë që videoja e parë e Priftit, ajo me Metën, u publikua prej vetë ish-ministrit, dy videot tjera ishin fshirë nga kompjuteri dhe pajisjet, por më pas u rikuperuan nga eksperti amerikan që u kërkua prej Prokurorisë së Përgjithshme. Për videon e parë, po zhvillohet një gjykim në Gjykatën e Lartë, ndërkohë që videoja e dytë është në hetim në Prokurorinë e Përgjithshme, së bashku me videon e tretë, e cila është teknikisht më e paqartë në lidhje me përmbajtjen e saj.                        tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›