Kordon i policisë te Ministria e Drejtësisë, protestuesit gjuajnë mjete piroteknike

PRISHTINË, 2 tetor/ATSH/ Pjesëmarrësit e protestës së sontme “Jo në emrin tim” kundër aktgjykimit dënues ndaj drejtuesve të UÇK-së nga sheshi kryesor i kryeqytetit u drejtuan për tek Ministria e Drejtësisë.
Organizatori i ‘’Jo në emrin tim’’, Çlirim Haziri, i kërkoi ministres së Drejtësisë Donika Gërvalla që ta procedojë ligjin për Specialen, duke theksuar se ata nuk do të ndalen asnjë natë’.
‘’Kërkesën tonë prej qeverisë e sollëm te dyert e kësaj ministrisë, te ministrja Donikë, i kërkojmë sot këtu, ta procedojë atë ligj të UÇK-së, ta procedojë se në tavolinën e saj e ka dinjitetin e kombit tonë, e ka identitetin tonë kombëtar. E ne nuk do të ndalemi asnjë natë derisa kjo ministri ta procedojë ligjin…’’, tha Haziri.
Tek ministria u panë edhe një numër policësh të cilët kishin formuar një kordon, ndërsa në një moment, protestuesit hodhën edhe mjete piroteknike.
‘’Motra e vëllezër mos e gjuani asnjë mjet piroteknik drejt policisë. Në mesin tonë ka fëmijë e nëna, mos gjuani’’, kërkoi Haziri nga protestuesit.
Protesta, megjithatë, përfundoi pa ndonjë incident.