Koreja e Veriut, forcohet pushteti i Kim Jong Un-it

Forcohet pushteti i liderit të ri të Koresë së Veriut, Kim Jong Un. Mediat shtetërore raportuan se atij i janë dhënë edhe dy poste që më parë mbaheshin nga babai i tij.
Sipas tyre, Kim Jong Un-i është emëruar kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak të partisë dhe anëtar i byrosë politike.
Njoftimi vjen pasi Koreja e Veriut mbajti një konferencë të rrallë partiake ku pritej që Kim Jong Un-it t`i transferohej më shumë pushtet.
Gjatë këtij takimi, partia në pushtet promovoi liderin e ri si sekretar të parë dhe babain e tij të ndjerë si sekretar të përgjithshëm në përjetësi.
Vendi pritet të lëshojë një raketë, plan i programuar për t`u realizuar këto ditë. Koreja e Veriut deklaron se raketa do të vendosë një satelit në orbitë, por Shtetet e Bashkuara deklarojnë se lëshimi i saj është një test për teknologjinë e raketave me rreze të gjatë veprimi.