E Diel, 1 Nëntor 2026

Koreja e Veriut, në prag ndryshimesh. Pushteti, shpejt në duart e të riut Kim

është djali i tretë i diktatorit dhe pritet të zgjidhet në shtator

Koreja e Veriut do të zgjedhë liderët e rinj të partisë në një mbledhje të posaçme, që do të organizohet në shtator. Kjo është një lëvizje për të fuqizuar fushatën për kalimin e pushtetit nga lideri suprem i vendit, Kim Jong Il, tek djali i tij më i vogël. Kim, i cili ka vuajtur nga probleme shëndetësore të rënda që nga viti 2008, pritet që t’ia kalojë pushtetin djalit të tretë Kim Jong Un, që kështu do të bëhet lideri i vendit komunist të izoluar, që është fuqi bërthamore dhe ka popullsi prej 24 milionë banorësh. çështja e zëvendësimit të Kim Jong Il në pushtet është diskutuar dhe hamendësuar prej kohësh, duke qenë se me sa duket gjendja e tij shëndetësore nuk ka qenë e mirë. Për sa i përket konferencës, ajo do të organizohet në shtator dhe prej saj do të zgjidhen edhe drejtuesit më të lartë të partisë. Ajo është më e rëndësishmja e këtij lloji që nga viti 1996. Kim Jong Il thuhej se do të pasonte të atin në qeverisje që nga viti 1974, por ky lajm u bë publik dhe zyrtar vetëm në vitin 1980, në një mbledhje të partisë. Ndërkohë ai mori në duar drejtimin e vendit në vitin 1994 pas vdekjes së të atit. Spekulimet për pasuesin e Kim Jong Il në pushtet kanë qenë të shumta dhe kryesisht ato kanë konverguar në emrin e djalit të tij të vogël, që në fakt është një figurë misterioze, krahasuar me informacionet që ekzistojnë për vëllezërit e tij. Madje për të nuk dihet as mosha e saktë edhe pse mendohet të jetë në mesin e të 20-ave. Sipas disa dëshmitarëve okularë, që më pas kanë dezertuar nga Koreja e Veriut, djali i tretë është shumë i ngjashëm në pamjen e jashtme me të atin dhe sillet edhe si ai, ndaj thuhet se është i preferuari i tij. Sipas disa burimeve, propaganda e Koresë së Veriut ka nisur punën me popullin, për ta shndërruar figurën e djalit të tretë në një figurë të adhuruar. Në vend kanë filluar që të botohen këngë dhe poema për këtë djalë. Ai ndërkohë thuhet se e shoqëron shpesh të atin në të gjitha vizitat jashtë kryeqytetit që bën, për t’i qëndruar pranë dhe për të mësuar nga mënyra e komunikimit të tij me popullin.
Megjithatë është shumë e vështirë që të thuhet saktësisht se çfarë është duke ndodhur në vendin komunist, që i ruan në fshehtësi të madhe të gjitha lëvizjet, sidomos ato që kanë të bëjnë me ndryshimet e qeveritarëve të lartë dhe mbi të gjitha të liderit suprem.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›