Aventura e një balerini shqiptar
Ai nuk e di se si do të ishte jeta e tij po të kishte qëndruar në Shqipëri. Por një gjë e ka të sigurt: në Greqi, aty ku është vendosur prej 18 vitesh, ndihet i plotësuar dhe mjaft i kënaqur. E jo më kot. është solist i Teatrit të Operës e Baletit të Athinës. Ashtu si shumë kolegë të tij balerinë, të cilët kanë kërkuar dhe e kanë gjetur suksesin përtej kufijve të vendit, edhe Altin Korruti e gjeti të mirën në Greqi. I kthehet Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit në Tiranë për baletin “Zorba”, ku interpreton pikërisht rolin e personazhit kryesor. Pas premierës së suksesshme dhe duartrokitjeve të publikut, dëshiron të kthehet sërish në skenën shqiptare.
Kohë më parë, kur ende nuk kishte provuar të largohej nga Shqipëria, e kur ende e mendonte të ardhmen e vet të lidhur ngushtë me skenën e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit në Tiranë, një cigane e pat ndalur dhe i pa dorën. “Jeta jote ndalon dhe fillon në një vend tjetër”... Dhe ai beson se çdo njeri, diku e ka të shkruar fatin e tij. Ai nuk e di se si do të ishte jeta e tij po të kishte qëndruar në Shqipëri. Por një gjë e ka të sigurt: në Greqi, aty ku është vendosur prej 18 vitesh, ndihet i plotësuar dhe mjaft i kënaqur. E jo më kot. është solist i Teatrit të Operës e Baletit të Athinës. Ashtu si shumë kolegë të tij balerinë, të cilët kanë kërkuar dhe e kanë gjetur suksesin përtej kufijve të vendit, edhe Altin Korruti e gjeti të mirën në Greqi. U largua si shumë shqiptarë të tjerë, në vitin 1992. Prej dy vitesh ishte vendosur solist në Teatrin Kombëtar të Operës e Baletit në Tiranë. Ishte vetëm 18 vjeç dhe çdo gjë i dukej e mundur dhe krejtësisht e lehtë. Mendonte se meqë ishte balerin, menjëherë do të çelej një vend për të kudo që të ishte. Por ndodhi e kundërta. Vitet e para sigurisht që ishin të vështira për balerinin shqiptar. Bëri punë të ndryshme, por baletin nuk e la asnjëherë pas dore. Ushtrohej darkave, pasi kishte mbaruar punën. Kishte gjetur një shkollë baleti së cilës nuk iu nda asokohe. Pas kësaj, mes përpjekjeve e kërkimeve të vazhdueshme ndodhi që një ditë dëgjoi se në Teatrin e Operës e Baletit në Athinë bëheshin audicione. Kërkonin një balerin. Altini shkoi pa e menduar dy herë. Ishte ajo që kishte pritur prej kohësh. Mes shumë konkurrentëve që merrnin pjesë atë ditë, interpretimi i balerinit shqiptar Altin Korruti u vlerësua si më i miri. I kujtohet se organizatorët pëlqyen tek ai forcën dhe hedhjet e fuqishme. Kjo ishte pika e fortë e tij, por edhe e shumë balerinëve të tjerë që kanë studiuar në shkollën shqiptare të baletit. Nisi kështu një jetë e re. Menjëherë iu ofruan dy prej roleve kryesore që pat interpretuar edhe në skenën e vendit të tij. E pat më të thjeshtë profesionalisht, por edhe emocionalisht këtë përballje të re me publikun e huaj. Ndihej më i përgatitur, më i sigurt dhe kësisoj iu duk sikur nuk pati shkëputje. I ngjante sikur gjithë sa po ndodhte ishte një vijim i së tërës, i gjithë sa kishte nisur në Shqipëri. Me gjithë paragjykimet e fillimit, ai ia doli mbanë. Vazhduan shfaqjet njëra pas tjetrës, rolet njëri pas tjetrit dhe duartrokitjet në skenë treguan se tashmë ai kishte krijuar një emër dhe ishte një balerin i suksesshëm. Por ndryshe nga sa ndodh me balerinët shqiptarë të vendosur në Itali, të cilët janë më të njohur për publikun edhe për shkak të televizioneve italiane që janë më të pranishme në vendin tonë, balerinët shqiptarë në Greqi nuk e kanë këtë fat. Pavarësisht suksesit në vendin ku janë vendosur për të jetuar e punuar, ata janë më të panjohur prej publikut shqiptar. Por kjo nuk e pengoi aspak Altin Korrutin t’i kthehej edhe një herë Shqipërisë. Ai kishte një ëndërr: të interpretonte sërish në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit në Tiranë. Të kërcente edhe një herë nga skena ku nisi gjithçka. Nuk e mendoi dy herë kur pas një telefonate të drejtorit të TKOB-së iu ofrua që nën koreografinë e Arjan Sukniqit të ngjiste në skenë baletin grek “Zorba”. Për të ishte një kënaqësi e madhe. Nisën kështu përgatitjet për këtë premierë të re të TKOB, e cila solli pas 18 vitesh balerinin Altin Korruti. Emocionet sigurisht që ishin të jashtëzakonshme për të. Ankthi nuk mungonte gjithashtu. “Edhe pse e kisha interpretuar më parë “Zorbën”, si në Athinë, ashtu edhe në teatro në vende të ndryshme të botës, mendoja se si do të më priste publiku pas 18 vitesh, si do ta priste këtë premierë e cila është ndryshe nga baletet e zakonshëm që vihen në skenë. Por gjithçka kaloi shumë mirë. Publiku na duartrokiti pafund. Na ka ndodhur në Turqi që na kanë kthyer gjashtë herë në skenë. E njëjta gjë ndodhi edhe në premierën e së premtes në Tiranë. Megjithëse ndihesha i lodhur, publiku më jepte forcë që të interpretoja dhe t’i kthehesha së njëjtës pjesë për kënaqësinë e tyre. Ishte siç e kisha menduar: një sukses i madh”, tregon mes emocionesh balerini, i cili interpreton pikërisht rolin e Zorbës. Por nuk dëshiron që gjithçka të mbarojë me kaq. Dëshirë ka të kthehet sërish. Të interpretojë dhe të marrë duartrokitjet e publikut shqiptar. Disa plane janë hartuar qysh tani, e megjithatë realizimi i mbetet së ardhmes. Pas shfaqjes së fundit të datës 30 qershor të baletit “Zorba” në Tiranë, Altini do të kthehet në Greqi. E pret opera “Aida”, në një skenë të hapur në “Akropolin” e perëndive, ku do të interpretojë edhe ai me pjesë në balet. Do të kujdeset gjithashtu që gjithçka të jetë gati më së miri për të çelur në muajin shtator një shkollë baleti. E ka themeluar bashkë me të shoqen, edhe ajo balerinë. Projektet nuk mungojnë. As dëshira për t’u kthyer në Tiranë. Mjaftojnë ftesat.
#