E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koreja e Veriut, tregohen pamjet e liderit të vdekur

Media shtetërore e Koresë së Veriut ka transmetuar sot pamje të trupit të liderit të ndjerë, Kim Jong IL, të shtrirë në një arkivol xhami.
Trupi i liderit Koreano Verior është vendosur në Pallatin Memorial Kamsusan ndërsa fotografitë tregojnë djalin e tij të tretë, i cili si duket është edhe pasardhësi i tij, Kim Hong Un, si dhe zyrtarë të tjerë, të rreshtuar para arkivolit, për t`i kushtuar respektin e tyre.
Agjencia zyrtare e lajmeve, KCNA pas njoftimit se babai i tij kishte vdekur të shtunën më 17 dhjetor, e quajti Kim Hong-Un-in si një “pasardhës të madh dhe lider të shquar të partisë, armatës dhe popullit”.
Pak dihet për Kim Hongun, që ka qenë për muaj në qendër të spekulimeve se do ta trashëgonte të atin. Po ashtu ka pak fotografi të tij. Nëna e tij Ko Hong Hui, sipas mediave, ishte valltare dhe gruaja e tretë e Kim Jong IL-it.
Kim Hong Uni raportohet se është arsimuar me emër të rremë në një shkollë ndërkombëtarë në Zvicër në vitin 1998.
Revista javore zvicerane “L`Hebdo” raportoi se ai ka braktisur shkollën në moshën 15-vjeçare pa e marrë ende diplomën. Revista citon shokët e klasës së tij ta kenë përshkruar atë si të turpshëm. Ai sipas tyre kishte dëshirë të skijonte dhe të luante basketboll. Por, gazeta e Koresë Jugore “The Korea Herald” raportoi se ai është përgatitur për të marrë pushtetin.
Ndërkohë raporte të pakonfirmuara nga Koreja Jugore thonë se veriu ka testuar një raketë me rreze të shkurtër veprimi në bregun lindor. Por nuk ka qenë e qartë nëse prova kishte lidhje me njoftimin për vdekjen e Kim Jong IL-it.
Koreja Veriore ka kryer provat e para bërthamore në vitin 2006, për të pasuar me provat e dyta tre vjet më vonë. Bisedimet shumëkombëshe që përfshijnë SHBA-të, Kinën, Korenë Jugore, Japoninë, Rusinë dhe Korenë Veirore, kanë për qëllim çarmatimin e Phenianit, por negociatat kanë ngecur prej disa muajsh.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›