Koreja e Veriut:Pro armëve bërthamore

Ministria e Mbrojtjes së Koresë së Veriut ka njoftuar se vendi komunist mund t'i mbajë armët bërthamore edhe pas një normalizimi të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. "Edhe nëse marrëdhëniet diplomatike mes Republikës Popullore Demokratike të Koresë dhe Shteteve të Bashkuara normalizohen, statusi ynë i fuqisë bërthamore nuk do të ndryshojë për sa kohë që kërcënimi bërthamor amerikan do të vazhdojë, qoftë edhe në nivelin më të ulët", bëri të ditur një zëdhënës i ministrisë koreane të Mbrojtjes. "Kemi jetuar mirë për dekada të tëra pa normalizimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Normalizimi i marrëdhënieve dhe çështja bërthamore janë dy çështje më vete. Do të ishte gabim nëse Shtetet e Bashkuara do ta konsideronin normalizimin e marrëdhënieve si një shpërblim për Korenë e Veriut në këmbim të heqjes dorë nga armët bërthamore", ka theksuar zyrtari. Sipas analistëve, nëpërmjet këtyre deklaratave, Koreja e Veriut kërkon t'i dërgojë një mesazh presidentit të zgjedhur Barak Obama, që ta marrë në konsideratë, si një ndër prioritetet e politikës së tij të jashtme. "Deklaratat përbëjnë një mesazh të Koresë së Veriut drejtuar Obamës, ku i kërkohet një marrëveshje globale dhe një interes më i madh nga qeveria e presidentit të ri amerikan", u shpreh Peik Hekson, nga Instituti shkencor Sejong. Sekretarja e ardhshme e Shtetit amerikan, Hilari Klinton, premtoi të martën përpara Kongresit fillimin e një përpjekjeje intensive për t'u dhënë fund aktiviteteve të dyshuara të përhapjes së armëve bërthamore të regjimit të Penianit.