E Diel, 1 Nëntor 2026

Koreografi Agron Aliaj pritet t’i nënshtrohet një operacioni

TIRANE - Gjendja shëndetësore e koreografit të mirënjohur Agron Aliaj paraqitet e rëndë. Pas mjekimit në Spitalin Ushtarak në Tiranë dhe trajtimit në QSUT, koreografi kryesor i Teatrit të Operas dhe Baletit do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në një nga spitalet private të vendit.

“Sapo jam informuar që profesori do të transferohet në spitalin jopublik Hygeia dhe një specialist grek ka marrë përsipër të vijë të bëjë një ndërhyrje. Kjo ndërhyrje është e zakonshme që kryhet edhe në klinikat tona, është një ndërhyrje ndihmuese, për t’i dhënë mundësi profesorit që të rikuperohet.”- deklaroi drejtori i politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero.

Por familjarët e koreografit Aliaj nuk kanë rënë dakord me hapat e ndjekura nga mjekët për përmirësimin e shëndetit të tij.

“Operacioni është i vështirë dhe mjeku specialist tha vetëm diçka, si është e mundur që është lënë deri në këtë pikë. Kjo është arsyeja që na detyron të flasim.”- deklaruan familjarët.

Koreografi 79-vjeçar Agron Aliaj u godit nga një makinë, ndërsa dilte nga provat e Teatrit të Operas dhe Baletit.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›