Korrektimi mundet

Kur ka mbetur më pak se një muaj nga përfundimi i afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore përsa i përket hartimit të Kodit të ri Zgjedhor, disa forca politike kërkojnë korrektimin kombëtar të sistemit proporcional rajonal. Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka thotë për “Korrierin” se edhe pse ka mbetur pak kohë nga përfundimi i afateve për Kodin e ri Zgjedhor, sërish ka kohë që të realizohet korrektimi kombëtar i sistemit proporcional rajonal. “Është krejt e mundshme që të realizohet korrektimi. Është vetëm një nen i Kodit Zgjedhor, nuk është se kërkon ndonjë volum të madh pune”, - thotë Ndoka, i cili dy ditë më parë iu bashkua në qëndrim Lëvizjes Socialiste për Integrim për të kërkuar korrektimin kombëtar të sistemit proporcional rajonal. Ndërkohë, anëtari republikan i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Arjan Madhi thotë se gjatë diskutimeve përsa i përket formulës së shpërndarjes së mandateve Kuvendare, nuk është lënë pa u marrë parasysh edhe mënyra se si shpërndarja e mandateve mund të korrektojë në njëfarë mënyrë sistemin. Sipas Madhit, ekzistojnë disa modele përsa i përket formulës së ndarjes së mandateve Kuvendare, të cilat mund të shkojnë deri në korrektim kombëtar të sistemit proporcional. “Kur kemi diskutuar për formulën e shpërndarjes së mandateve, sigurisht nuk kemi patur parasysh, qëndrimin strikt në ndarjen e mandateve, duke përjashtuar format e korrektimit. Përkundrazi, modelet lidhur me korrektimin ekzistojnë, modele të cilat shkojnë deri në korrektimin kombëtar”, - thotë Madhi për “Korrierin”. Ndërkohë, një ndër modelet që mund të propozohet nga ekspertët e Komisionit të Reformës Zgjedhore është edhe ajo e ndarjes së mandateve Kuvendare në dy forma, ku forma e dytë mund të korrektojë sistemin. Megjithatë, edhe pse forcat politike të vogla pretendojnë për një korrektim të mundshëm të sistemit, burimet brenda Komisionit të Reformës Zgjedhore bëjnë të ditur se kjo nuk do të ndodhë. Sipas burimeve të mirëinformuara të komisionit, ato ndryshime që mund të pësojë drafti gjatë diskutimeve mund të jenë ndryshime të vogla që ndikojnë shumë pak tek sistemi proporcional rajonal, duke mos i shkaktuar asnjë ndryshim këtij të fundit. Ndërkohë, pritet që Komisioni i Reformës Zgjedhore të nisë diskutimet konkrete me draftin përfundimtar të Kodit të ri Zgjedhor javën e ardhshme.
Ndarja e mandateve dhe korrektimi
Nëse “X” rajon ka 15 mandate, atëhere sipas modelit do të ndahen fillimisht 10 mandatet e para. Ndërkohë, 5 mandatet e tjera ndahen në bazë të formulës që bën korrektimin. Kjo do të favorizonte kryesisht forcat e vogla politike. Ndërkohë, nëse “Y” subjekt politik përfiton nga formula 1-5 mandate, atëhere këto mandate duhet të shkojnë detyrimisht në rajonet ku subjekti “Y” ka peshën e tij më të madhe. Kjo do të sillte njëfarë korrektimi të sistemit proporcional rajonal. Megjithatë, edhe pse mandatet transferohen, sipas modelit në fjalë, numri i mandateve nuk duhet të kalojë asnjëherë numrin e mandateve të përcaktuara për atë rajon.