“Kryebashkiaku Flamur Bime të japë dorëheqjen”
Kërkon LSI-ja GJIROKASTER - Dega lokale e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) në Gjirokastër, ka kërkuar dje gjatë një konference shtypi, dorëheqjen e kryetarit të bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, për shkak të tragjedisë së ditës së diele, ku si pasojë e shembjes së pjesshme të pallatit në lagjen “11 janari” humbën jetën tre persona, si dhe u plagosën disa të tjerë. “Kemi ngritur zërin disa herë për monopolizimin e ndërtimeve dhe bërjen e tyre pa kriter, duke zaptuar çdo pëllëmbë tokë të lirë. E kemi kritikuar mënyrën e menaxhimit të kësaj pasurie botërore nga pushteti lokal, por babëzia dhe etja e këtyre njerëzve për pushtet la në mëshirë të fatit 15 familje, si dhe shkaktuan vdekjen e tre njerëzve të pafajshëm”, deklaroi kryetari i degës së LSI, Genci Sinoimeri. Më tej, Sinoimeri është shprehur se “Ne kërkojmë me forcë në emër të ndërgjegjes dhe moralit dorëheqjen e menjëhershme të kryetari të bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, sepse çdo minutë e tij në atë karrige është një rrezik për qytetin”. ...