E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur media nuk njeh as toponimet e vendin të vet!

Në mjaft raste, është vënë re se pjesa më e madhe e shkruesve të lajmeve dhe e reporterëve të radiove e televizioneve në vend së pari gabojnë në shkrimin dhe shqiptimin e emrave të fshatrave, komunave, rajoneve, maleve e lumenjve të vendit tonë dhe së dyti (por jo më pak e rëndësishme) gabojnë në vlerësimin se çfarë përbën dhe çfarë nuk përbën lajm. Në pothuajse të tëra lajmet e kronikat që kam ndjekur personalisht këto dy-tre muajt e fundit me këtë pikësynim kam vënë re se rreth gjysma e toponimeve shkruhen nga gazetarët apo shqiptohen nga folësit e lajmeve gabim. Gabimet janë në shkronja e në theks. Konkretisht, marr shkas nga informacioni i ditëve të fundit, shpërndarë në publik nga disa gazeta, radio e stacione televizive në lidhje me vizitën e kryeopozitarit Z. Edvin Rama në veri të vendit, pikërisht në rrethin e Kukësit, në zonat e Shishtavecit dhe të Ujmishtit. Në të tëra mediat e shkruara dhe audiovizive emri i zonës Ujmisht u shkrua apo u shqiptua gabim. Dikush tha apo shkroi Unisht, një tjetër Uinish, një i tretë Umish, një shkrues Unjish, një folës lajmesh Ujnjisht, etj. Kjo mund të ketë ardhur ose si rezultat i deformimit nga ana e shkruesve të lajmeve dhe i folësve të radiove dhe televizioneve të informacionit të marrë nga zyra e shtypit pranë kreut të opozitës ose nga informacioni i pasaktë që kjo zyrë u ka dhënë gazetarëve. Sidoqoftë, në të dy rastet duket sheshit se etika profesionale e shkruesit të lajmit dhe e folësve, procedurat e redaktimit të lajmit, njohuritë e gazetarëve dhe teknikat e plotësimit të lajmit nga ana e shkruesit të tij në Shqipëri, janë në nivele jo normale. Në lidhje me lëvizjet në territorin e vendit të individëve të njohur të fushave të ndryshme si të politikës, biznesit, kulturës, etj, gjëja kryesore që duhet të bëjë një shkrues apo folës - profesionist i mirë lajmesh - është të mësojë emrin e saktë të vendit ku shkon VIP-i, pasi të mos dish emra fshatrash apo lumenjsh nuk është ndonjë fatkeqësi, sepse nuk është e thënë që të tërë gazetarët e folësit në rubrikat e lajmeve të dinë me saktësi emrat e mbi 2000 fshatrave dhe emrat e të tërë lumenjve, përrenjve e gërxheve që ka Shqipëria, por të mos bësh përpjekje të mësosh saktë emrin e një toponimi kur në gazeta dhe edicione lajmesh radio-televizive, vizitës në këtë apo atë zonë, rajon, komunë a fshat u kushtohen minuta të tëra, kjo është një mungesë totale profesionalizmi dhe mungesë respekti ndaj lexuesve e shikuesve. Një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm në lidhje me lëvizjet e këtyre individëve në territorin e vendit është edhe përcaktimi nëse kjo apo ajo lëvizje përbën apo nuk përbën lajm. Në rastin konkret, nga përvoja ime si gazetar, vizita në Shishtavec apo Ujmisht e Z. Edvin Rama në aspektin e lëvizjes dhe të mesazhit që ai shpërndahu në publik nuk përbën asnjë farë lajmi. Ky nuk është faji i Z. Rama. Mesa duket diçka ka shpëtuar pa u llogaritur mirë nga ana e organizatorëve të vizitës, ose nga gazetarët që mezi presin që një VIP të dalë nga kulla, për të shkuar diku, pavarësisht se ku është kjo dikuja e çfarë do bëjë ai atje. Parrullat e trumbetuara në gazetat dhe emisionet e lajmeve të stacioneve radiotelevizive, të thëna nga kreu i opozitës gjatë vizitës në zonat rurale të Kukësit, se “bujqësia është përtokë”, se ”fshati po vdes”, se “s’kemi ku t’i çojmë produktet”, e të tjera si këto duket sheshit se janë për konsum masiv elektoral dhe të tilla deklarata tashmë nuk përbëjnë më asnjë lloj lajmi dhe nuk mund të sjellin asnjë efekt tek banorët e këtyre zonave. Konkretisht në dalje të qytetit të Kukësit është ndërtuar një treg masiv i pajisur me teknologji moderne miliona dollarëshe, për përpunimin dhe ambalazhimin e patatates, produkti kryesor i zonës së Shishtavecit, ndërsa në rrugën Bicaj - Kukës dhe në qytetin e Kukësit operojnë me dhjetra thertore, dyqane mishi, bulmeti e fruta perimesh, që tërheqin produktet blegtorale kryesisht të të imtave dhe perimet e frutat e freskëta (që për hir të së vërtetës janë tipikisht sezonale), për të cilat shquhet zona e Ujmishtit me të tre fshatrat kryesore e saj; Resk, Skavicë dhe Tejdrin, pa përmendur këtu investimet me financime të buxhetit të shtetit dhe me financime të huaja të realizuara ose që janë në vazhdim në vlera qindra mijëra dollarë në disa skema ujitëse dhe kulluese në fshatrat e rrethit të Kukësit dhe Hasit si dhe investimet e bëra nga vetë subjektet private në sektorin e bujqësië dhe të ushqimit në këto zona të vendit, investime që kanë ardhur kryesisht si rezultat i lirisë së tregut dhe i përmirësimit të klimës së biznesit dhe i dëshirës së madhe të banorëve të këtyre zonave për të bërë biznes. A mund të ishte organizuar më mirë dhe të jepte më shumë rezultate kjo vizitë, qoftë në aspektin politik, qoftë në aspektin e informacionit si lajm? Padyshim që përgjigja është “Po”. Nga pikëpamja ime si njohës i zonës (pasi për disa vjet kam punuar atje midis viteve 1989-1991) do ishte mjaft interesante që kjo vizitë të bëhej në formë kontrasti ku të tregohej se kreu i opozitës, i lindur në kryeqytet, shkoi për vizitë në vendlindjen e Ministrit të Bujqësisë dhe të Ushqimit, që është edhe një nga eksponentët kryesore të pozitës. Do ishte mrekulli si lajm nëse gjatë vizitës kryeopozitari do të kishte mundur të artikulonte diçka me vlerë për bujqësinë dhe ushqimin. Ky pra është në të vërtetë lajmi i munguar. Ky pra është kontrasti dhe mesazhi i munguar, që unë kërkova të merrja si lexues në gazeta dhe si shikues lajmesh në televizor. Por edhe në të vërtetë mesazhi që mund dhe duhet të ishte përcjellë në publik nga ana e shkruesve dhe e folësve të lajmeve nga kjo vizitë, ashtu siç u organizua ajo dhe ashtu siç u fol gjatë saj, është se në Shqipëri tashmë politika nuk përbën më problem për lëvizjen e individëve me ide dhe pikëpamje të ndryshme, sepse për hir të së vërtetës në këtë zonë reputacioni i forcave të djathta është mjaft i dukshëm dhe jo se c’farë u tha gjatë kësaj vizite për bujqësine dhe blegtorinë. Kronikat radiotelevizive dhe informacioni nuk bënë gjë tjetër veçse treguan faktin se kreu i opozitës gjatë tërë vizitës pothuajse ishte vetëm apo i shoqëruar nga dy a tre eksponentë lokalë të opozitës, apo bisedoi vetëm me disa fëmijë me çanta në shpinë që po ecnin në një rrugë fshati malor dhe u dha dorën nëntë individëve në Shishtavec dhe njëmbëdhjetë individëve në rrugën për në Ujmisht. Të shkosh për propagandë elektorale e të flasësh për fshatin e bujqësinë me fjalë të përgjithëshme në zona që janë prodhuese klasike të produkteve të njohura dhe specifike të tilla si patatja, mishi i bagëtive të imëta, disa fruta dimërore e perime të vona dhe ushqime të njoma dhe të thata për blegtorinë, do të thotë se vizita ka qenë tërësisht e papërgatitur dhe e destinuar të dështonte ashtu siç dështoi në të vërtetë. Dështimi i kësaj vizite në aspektin politik dhe elektoral erdhi vetëm si rezultat i mosnjohjes së realitetit, i mosnjohjes së vendit dhe i karakteristikave të zonave dhe i produkteve karakteristike që prodhojnë fermerët e këtyre zonave ku u bë kjo vizitë, por këto janë edhe arsyet kryesore të dështimit të informacionit që u shit si lajm i rrallë nga disa gazeta, radio dhe stacione televizive. Ajo që mund dhe duhet të theksonte kreu i opozitës gjatë kësaj vizite, në mënyrë që kjo vizitë të përbënte me të vërtetë një lajm dhe lajm të madh bile, do ishte bie fjala vënia e theksit në mungesat dhe vonesat në projektet dhe punimet për të rehabilituar rrugët që lidhin fshatrat e zonës me rrugën Kukës - Morinë, që të sjell në kryeqytet dhe të çon në Prishtinë, niveli jo sipas standardeve të komunitetit evropian i pikave private të shpërndarjes së plehrave kimike dhe të pesticideve, skajifikimi i individualizimit të prodhuesve dhe tregtuesve të produkteve bujqësore dhe blegtorale dhe gjetja e rrugëve për nxitjen e formave të tjera të organizimit të prodhimit dhe të tregtimit të produkteve, mungesa ose fillesat e vonuara të vendosjes së kontakteve të biznesit me dhomat e tregtisë të qyteteve Gjakovë dhe Prizren, që janë afër Kukësit, Hasit, Bajram Currit, etj, për të mundësuar edhe eksportimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale në sezonet e pikut të prodhimit, etj. Të vizitosh një zonë të vendit nuk do të thotë të nxish realitetin, por të hedhësh vështrimin drejt së ardhmes, kjo bile është një mënyrë e mirë dhe mjaft rezultative për të fituar elektorat. Të tërë qytetarët shqiptarë këtej e matanë kufirit presin nga politika vështrimin drejt së ardhmes, sepse qytetarët besojnë se politika ka në gjirin e saj vizionarë që shikojnë përtej kushteve reale dhe faktorëve në mungesë të jetës së përditëshme. Shqipëria ka nevojë për politikanë që të jenë të aftë që edhe gjatë punëve të përditëshme me shkresurina, firma, ligje e dosje në zyrë apo edhe kur dalin në terren për inaugurime dhe/ose për të vënë theksin në çështje të rëndësishme, që na shqetësojnë të tërëve, të mendojnë dhe veprojnë në përputhje me atë ç’ka presim të bëjmë dhe të bëhemi të gjithë ne pas pesë, dhjetë apo tridhjetë vitesh, sepse ne si individë dhe si komb jemi në një fazë tepër, tepër specifike zhvillimi kur kemi shumë më shumë nevojë për njerëz tek të cilët të shikojmë jo vetëm përpjekjet që ata bëjnë për të plotësuar premtimet elektorale, por që edhe të n’a bëjnë të ëndërrojmë (për të ardhmen tonë dhe për pasardhësit tanë). Ne shqiptarët tashmë nuk kemi aspak nevojë për njerëz që në fjalorin e tyre përdorin vetëm fjalë, fraza dhe paragrafe të shkëputura e pa lidhje me njëri tjetrin, të mbushur me karakter të theksuar negativ dhe pesimist, ku gëlojnë gafat konceptuale dhe mungon racionaliteti. Si përfundim nga tërë kjo histori dështimi të dy subjektet e “lajmit” në fjalë, si politikani ashtu edhe gazetarët lustraxhinj, në vend që të realizonin detyrën për të shtuar disa pikë në kuotimet e bursës së politikës shqiptare, nuk bënë gjë tjetër veçse treguan parësisht në sy të publikut se në fund të fundit nuk njohin vendin dhe realitetin në vend dhe së dyti treguan se në fakt kanë mungesë të theksuar profesionalizmi pothuajse në të tëra aspektet. Uroj që ky dështim klasik, pavarësisht se i kujt ishte dhe se cili (apo cilët) e gatoi (e gatuan) të n’a ketë shërbyer si një mësim i mirë të tërëve ne që pretendojmë se po bëjmë diçka të mirë për vehten dhe familjet tona, për shoqërinë shqiptare dhe vendin tonë në ato pozicione, angazhime dhe detyra që kemi....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›