E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrik, 151 aksidente me plot 51 persona të vdekur

13/08/2010 Zhvillohet analiza e Task-Forcës Rrugore. Evidentohen problemet e para

TIRANE- Brenda muajit korrik rezultojnë të kenë ndodhur 151 aksidente në të gjitha rrugët e vendit, ku për pasojë kanë gjetur vdekjen 51 persona. Sipas Policisë Rrugore, këto shifra janë të njëjta me periudhën kohore të vitit të kaluar, pasi gjatë muajit korrik dhe gusht shtohet ndjeshëm numri i mjeteve që qarkullojnë në rrugët e vendit. Ky konkluzion u arrit gjatë zhvillimit të analizës 1 mujore të Task-Forcës Rrugore, sektor ky që u ngrit në fillim të muajit korrik për evidentimin e shkaqeve të aksidenteve dhe marrjen e masave për uljen e numrit të tyre. Në këtë analizë ishin të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Hysni Burgaj, Drejtori i Policisë Rrugore Vullnet Topalli si dhe drejtuesit e 12 njësive rajonale për sigurinë rrugore në qarqe. Në qendër të diskutimeve ishte ecuria e punës në Drejtorinë e Policisë Rrugore dhe funksionimi i strukturës së re, si dhe njohja e problematikës me të cilën përballet kjo strukturë në fushën e sigurisë rrugore. Gjatë kësaj analize u theksua se deri tani struktura e re ka funksionuar mirë. Masat e marra për parandalimin e aksidenteve rrugore kanë qenë të shumta dhe forca goditëse ndaj shkelësve të Kodit Rrugor ka qenë e madhe, pavarësisht ngjarjes fatkeqe të ndodhur në Pukë gjatë këtij muaji. Po ashtu u evidentuan problemet kryesore me të cilat përballen çdo ditë efektivat e Policisë Rrugore, si: përdorimi i pijeve alkoolike nga drejtuesit e mjeteve, shpejtësia tej normave të lejuara, mosvendosja e rripave të sigurimit, parakalimet e gabuara etj. Sipas drejtuesve të kësaj strukture gjatë muajit korrik rezulton të kenë ndodhur 151 aksidente në rang republike, me 51 persona të vdekur, shifra këto thuajse të njëjta me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me gjithë hyrjen e madhe të mjeteve gjatë sezonit turistik (rreth 131 mijë automjete më shumë krahasuar me korrikun e një viti më parë). Ndërkohë për shkeljet e konstatuara ndaj drejtuesve të automjeteve janë marrë rreth 59.760 masa administrative gjoba, si dhe janë bllokuar rreth 2017 automjete. Po në kuadër të këtyre kontrolleve është marrë masa e pezullimit të lejes së drejtimit në 1784 raste për drejtuesit e automjeteve. Në fund të analizës Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj ka kërkuar forcimin e punës së strukturave policore në drejtim të parandalimit të aksidenteve si dhe të rritet gjithnjë e më shumë forca goditëse me tolerancë zero ndaj shkeljeve të Kodit Rrugor, që bëhen burim aksidentesh, duke marrë jetë njerëzish. Burgaj shtoi se forca goditëse e kësaj strukture të përdoret jo vetëm në muajt e verës, por gjatë gjithë vitit, me qëllim minimizimin e numrit të aksidenteve dhe të viktimave që shkaktojnë ato.

60 mijë gjoba

Për shkeljet e konstatuara ndaj drejtuesve të automjeteve janë marrë rreth 59.760 masa administrative gjoba, si dhe janë bllokuar rreth 2017 automjete. Po në kuadër të këtyre kontrolleve është marrë masa e pezullimit të lejes së drejtimit në 1784 raste për drejtuesit e automjeteve, si dhe janë vendosur penalizime të ndryshme për shkelësit e ligjeve.

Aksidenti tragjik

Më 17 korrik një autobus i linjës Tiranë–Pukë doli jashtë rruge dhe u rrëzua në një humnerë. Nga rrëzimi mjeti ka bërë disa rrotullimi dhe më pas ka përfunduar në shtratin e lumit Fan i Vogël. Si pasojë e këtij aksidenti rrugor policia regjistroi në muajin korrik plot 14 viktima, mes tyre të moshuar dhe fëmijë të mitur, të cilët ndodheshin në autobus.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›