E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria - vend tërheqës për investime

12/08/2010 Përmirësimi i kuadrit ligjor dhe taksat e ulëta e kanë kthyer vendin në vëmendjen e biznesit

Raporti: Shqipëria nga vend komunist ofron mundësi në minerale, naftë dhe energji

Gjatë regjimit famëkeq komunist të diktatorit egomaniak shqiptar Enver Hoxha, i cili kishte nevojë për 80 vëllime autobiografike për të mbajtur kujtimet e tij, vendi i vogël ballkanik në Adriatik nuk toleronte asnjë investim të huaj perëndimor, madje nuk lejonte kontakt të drejtpërdrejtë as me Rusinë staliniste apo Kinën maoiste. Kur zoti Hoxha vdiq në vitin 1985, trashëgimia e tij ekonomike ishte veçse një vend i shtypur prej tre milionë banorësh, më shumë se një milion prej të cilëve jetonte në varfëri të mjerë. Për 40 vjet shqiptarët mezi arrinin të mbijetonin në fermat kolektive dhe ishin njerëzit më të varfër në të gjithë Evropën. Ata mbeten relativisht të varfër edhe sot. Shqipëria sot ka një GDP prej 22,5 bilionë dollarë (US), nga 4 miliardë dollarë në vitin 1980 dhe renditet në vendin e 117-të globalisht (sipas CIA World Factbook). Megjithatë, ajo ende regjistron mesatarisht vetëm 6200 dollarë në të ardhurat për frymë, duke u renditur në vendin e 131-të. EUROSTAT-i, agjencia statistikore, thotë se shqiptarët fituan vitin e kaluar sa 25% e mesatares së BE-së. Por prisni. Çfarë është kjo? Nga zero dollarë në investime të huaja vetëm disa vjet më parë, Shqipëria tani raporton investime të huaja të barabarta me 25 për qind të GDP-së, ose 5,5 miliardë dollarë, duke u renditur në vendin e 50-të në botë. Në konkurrencën globale për investime Shqipëria tani shkon edhe më lart në peshën e saj. Kjo performancë siguron progres më të madh.

Shqipëria tashmë ka bërë përparim shumë të madh. Në vitin 1997 vendi ishte në trazira të dhunshme dhe PBB ra 9 për qind në një vit të vetëm. Në vitin 1999 Shqipëria ka tërhequr 44 milionë dollarë investimet e huaja (“Coca-Cola” investoi 10 milionë dollarë në vitin 1994 dhe ishte e para nga kompanitë e mëdha ndërkombëtare.) Tani investitorët po nxitojnë për të përqafuar rishfaqjen e vendit që dikur kishte gjithçka kundër tij. Shqipëria ka lulëzuar në 4 vjetët e fundit dukshëm, pavarësisht recesionit global. Vitin e kaluar Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë (përveç San-Marinos dhe Lihtenshtejnit) që shënoi rritje reale prej 3.7%, në vitin 2008 7.8% dhe në vitin 2010 parashikohet një rritje prej 3.5%. Është vendi më dinamik ekonomikisht në Ballkan dhe po ecën më mirë, në terma relativë, se shumë ekonomi më të mëdha europiane. (Në 2009-n ekonomia gjermane u tkurr 4.8%; Franca pritet të rritet 1% këtë vit, Italia me 0.4%) Çfarë duan të thonë statistikat e rritjes për popullin shqiptar? Në një raport të publikuar vitin e kaluar Banka Botërore deklaroi se niveli i varfërisë së vendit në 6 vjetët e fundit është përgjysmuar, varfëria ka zbritur në 12 %. Ndërkohë në vitin 2002 Banka Botërore raportoi se niveli i varfërisë ishte 25%. Sipas statistikave, nga 525 000 njerëz të varfër në vitin 2005 më shumë se 200 000 prej tyre i kanë shpëtuar varfërisë. (Banka Botërore përkufizon si të varfër çdo person, të rritur ose fëmijë, me të ardhura më pak se 5700 lekë [50 dollarë] për person në muaj.) Duke përmendur progresin e madh në të ardhurat në fermat e privatizuara, të cilat përbëjnë gjysmën e vendeve të punës në Shqipëri, Banka Botërore raportoi se të ardhurat mesatare në vend ishin rritur (në terma realë) me 36,5 % në periudhën trevjeçare midis 2005 dhe 2008. Bazuar në reformat e gjera të vendit në dekadën e kaluar, Banka Botërore tha se parashikon "një rritje të fortë ekonomike dhe stabilitet makroekonomik" në vitet në vijim. Dhe pse jo? Në një dekade të vetme Shqipëria mundi të gjenerojë lehtësisht më shumë rritje ekonomike se në shekullin e mëparshëm. Për milje katror Shqipëria konsiderohet nga disa autoritete si vendi më i pasur i Evropës në burime natyrore. (Në vitin 2008 kompania me qendër në Zvicër “Manas Petroleum Corp” njoftoi zbulimin e depozitave të mëdha të naftës dhe gazit, që nga disa analistë zbulimi mund të përmbaje 27 trilionë metra kub gaz natyror.) Shqipëria po ia del mbanë për një arsye të thjeshtë: ajo ka ndërtuar reformat e tregut të lirë, që lejojnë suksesin. Shqipëria është anëtare e NATO-s. Është në rrugë të mbarë për anëtarësimin në BE. Është një demokraci e bazuar në shtetin ligjor. Përveç këtyre virtyteve shpirtërore dhe pragmatike, Shqipëria ofron mundësi të jashtëzakonshme për investime, mes tjerash në nikel, krom, bakër, zink, ar, argjend, hekur dhe qymyr. Por një reformë tjetër ka ndihmuar në mënyrë më efektive se të tjerat në thithjen e investimeve të huaja dhe mirëpritjen e tyre në Shqipëri. Vendosja e taksës së sheshtë 10 për qind dhe heqja e taksës mbi dividentin për investime suplementare bën që Shqipëria të ofrojë taksat më të ulëta në të gjithë Evropën dhe ndoshta në botë. Rezultati është pikërisht ajo që ju do të prisni: një fluks investimesh. Kjo nuk mund t’i ndodhte veçse një vendi si Shqipëria, që e meritonte më shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›