Mediat/Rinia greke po proteston sepse s’është dakord me sistemin social
Të rinjtë e revoltuar në Greqi po përleshen për ditë të tëra me policinë. Kush janë këta të rinj dhe çfarë duan ata? Ata duan një sistem të drejtë social dhe revolta është rezultat i zhgënjimit të akumuluar prej kohësh. Edhe në pikun e dimrit miqtë gjermanë përmendin me dëshirë: Tek ju në Greqi është me siguri akoma ngrohtë. Greqia, një parajsë e gjelbër ku ka gjithmonë diell? Me siguri jo! Idili i Greqisë së ngrohtë po merr këto ditë goditje të forta. Vdekja e një 15 vjeçari nga plumbat e një polici agresiv, protestat që pasuan të miëjra nxënësve dhe studentëve në të gjithë vendin, pastaj trazirat e anarkistëve dhe të rinjve të revoltuar një sërë qytetesh. Përleshje në rrugë, shkatërrime, bastisje në qendër të Athinës hedhin një dritë të trishtueshme mbi djepin e dikurshëm të civilizimit. Kush demonstron kundër kujt në Greqi? Vetëm të rinj kokëfortë kundër arbitraritetit të policisë? Ndryshe nga protestat në periferitë e Parisit, ata që revoltohen në Athinë janë bijë të shtresës së mesme. Ata mund të përshkruhen si më të pangarkuarit dhe sensorët më të ndjeshëm të shoqërisë. Dhe ata protestojnë tashmë kundër mungesës së perspektivës dhe shpresës. Skena anarkiste autonome që mezi i pret raste të tilla sigurisht jep kontributin e vet këtu? Kujt i vlejnë këto fryte të zemërimit? Sistemit arsimor të rënë, sistemtit politik të tronditur nga skandalet, kishës zyrtare pre e parasë, policisë armiqësore ndaj qytetarëve. Greqia po përjeton një krizë institucionesh që nuk e ka njohur më parë në këtë formë. Sistemi dy partiak perceptohet si një sistem që ndihmon ata që janë në pushtet, të pasurohen në kurriz të grekëve. Kisha, deri para disa vitesh një instancë e patundshme në shoqëri është pushtuar së fundi nga skandalet financiare. Sistemi arsimor ka nëvojë për një reformë të thellë, reformë që qeveritë e 10 viteve të fundit e kanë nisur, por gjithmonë kanë dështuar. Në fund një rrogë bazë prej 600 deri në 700 euro nuk është ndonjë perspektivë e kënaqshme për të rinjtë, aq më tepër kur ata janë mjaft të kualifikuar. Diçka nuk shkon mirë me shtetin grek, bërtasin në formën e tyre demonstruesit. A do të dëgjojë udhëheqja politike dhe do të ofrojë zgjidhje hap pas hapi? Kjo është ende me pikëpyetje. Qeveria aktuale e kryeministit konservativ, Kostas Karamanalis ka vetëm një shumicë të brishtë në parlament dhe ndërkohë është bërë më se e qartë që ajo nuk mund ta sjellë ndryshimin e premtuar dhe "rithemelimin e shteit"- Partia opozitare Pasok dhe Papandreu, që udhëhoqi më parë më shumë se 20 vjet nuk ofron ndonjë alternativë realiste. Duket se pasardhësit e kokave të ëmdha politike në Greqi, nipi i Konstantino Karamanlisit dhe djali i Andrea Papandreut, nuk mund ta nxjerrin Greqinë nga kriza sociale dhe politike. Nuk është më e mjaftueshme vetëm era e stallës për të pastruar Athinën.
Komenti - Evropa duhet të bëje kujdes, përndryshe nuk evropianizon Evropa Ballkanin, por Ballkani Evropën/Pamjet e djegieve që na vijnë nga pararoja e juglindore e Evropës. Ato na kujtojnë verën e 2007. Atëherë digjeshin zonat bregdetare të Greqisë, këtë herë janë qytetet brenda saj. Arsyet për këto shkatërrime si atëherë edhe sot nuk dallojnë shumë nga njëra-tjetra. Një rend shtetëror në lëkundje, pjesërisht i falimentuar, kriminalitet i organizuar i mbështetuar nga instanca qeveritare, dezorganizimi dhe mungesa e solidaritetit shoqëror përbëjnë sfondin e vatrës së re të zjarrit që ka përfshirë këtë vend. Ky karakterizim, shkruan "die Welt", e bën katastrofën greke të shihet me atë sy që deri më tani janë parë vendet e ish- bllokut komunist në tranformim. Nepotizmi, korrupsioni në masë të madhe, rrënimi sistematik shoqëror dhe politik, janë realisht fenomene që e rendisin Greqinë në një rang me vendet juglindore në atë skaj të Evropës, të cilat në shpeshtësinë e tyre rajonale bëjnë që të flitet për fenomenin ndarje veri--jug në BE. Një ndarje kjo që në përzierjen mes vendeve të reja dhe më të vjetra të BE-së, deri më tani nuk është marrë edhe aq në konsideratë, ose nuk është pohuar me zë të lartë, vëren gazeta gjermane "Die Welt". Në fund të fundit shtetet me rendin më inefiçent financohen me shumat më të mëdha nga BE. Greqia me 5,4 miliardë eurot e marra nga BE është në krye të këtyre vendeve. Kështu u harrua si rast i veçuar kur në vitin 2004 qeveria greke duhej të pranonte, se për të arritur futjen në zonën e euros, kishte fallsifikuar sistematikisht buxhetet vjetore. Një veprim kriminal qeveritar që në cilësinë e vet të kujton ekceset e fundit të korrupsionit me paratë e BE-së në vendet më të reja të Unionit. Në vende si Bullgaria edhe Rumania, vendet e dala nga rrëzimi i ish-Jugosllavisë dhe së paku në jugun e Italisë, bëhet fjalë për më shumë se sa defiçite në rendin e shtetit. Në cepin jugperëndimor të Evropës, mund të llogarisim me avari të vazhdueshme, për të cilat me sa duket instrumentat evropian të politikës së zhvillimit duket se nuk janë efikase. Përballë këtij sfondi shtrohet pyetja, se si do vepruar më tej me zgjerimin e BE-së? Praktika e deritanishme duket se nuk ështe e përshtatshme po të marrim si shembull Kroacinë, tepër të infektuar nga korrupsioni. Të mos përmendim Serbinë, ku me sa duket krimi i organizuar i kushtëzuar ka depërtuar në dejet më të hollë të administratës. Kur mekanizmat e mëparshëm të sanksioneve të politikës së Brukselit, nuk kanë efekt tek anëtarët e vjetër të BE-së, shtrohet me të madhe pyetja se si do të veprohet me të rinjtë. Siç tregon rasti i Greqisë, as një anëtarësim dhjetëravjeçar nuk i shëron forma të caktuara të shthurjes së strukturave. Duhet të jetë e mundur që shtete të tilla të vëzhgohen më ashpër, shkruan "die Welt", përndryshe nuk evropianizon Evropa Ballkanin, por Ballkani Evropën.