Në 2009, Shqipëria, kandidate për anëtarësim në BE
Në ditën e 18-vjetorit të krijimit të PD-së, kryeministri Sali Berisha u premton shqiptarëve se muajt e parë të 2009-s, vendi do të marrë statusin e vendit-kandidat, ndërkohë që gjatë mandatit të dytë qeverisës do të mundësohet edhe anëtarësimi i plotë në BE
TIRANE - Republika e Shqipërisë aplikon si vend kandidat për anëtarësim me të drejta të plota në Bashkimin Evropian, në muajin janar të vitit të ardhshëm. Këtë e konfirmoi dje kryeministri Sali Berisha në festën madhështore të 18 vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike.
Kreu i qeverisë vuri në dukje se autoritetet shqiptare angazhohen që pas kërkesës për pranimin e në BE që do t’i dorëzojnë muajin e ardhshëm Brukselit, do të bëjnë gjithçka për të arritur pikësynimin primar të Shqipërisë dhe shqiptarëve. “Më 12 Qershor të vitit 2006, ne firmosëm Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, kontratën historike të Shqipërisë me Europën. Jam këtu, në këtë ditë solemne të idealeve evropiane të shqiptare, për t’u zotuar se, muajt e parë të vitit të ardhshëm Shqipëria do të paraqesë kërkesën për statusin e kandidatit, se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për lëvizjen e lirë të shqiptarëve në mbarë Europën. Zoti e bekoftë Europën”, tha Berisha.
Skemat piramidale dhe rebelimi komunist
Kryeministri Berisha tha se Partia Demokratike njeh përgjegjësitë e saj të plota për tolerimin e skemave primamidale dhe krizën financiare që ato sollën, mori vendimet që për të shmangur një konflikt të gjerë civil të dorëzonte pushtetin. Kreu i qeverisë informoi se qeveria e asaj kohe iu deklaroi shqiptarëve se nuk ishte e implikuar në skemat piramidale dhe se një borxh që nuk ishte marrë nuk mund të njihej, nuk mund të kthehej.
“Kështu që, ata që u përmbysën me votën e lirë në vitin ’92, pasi premtuan rikthimin në çdo qindarkë të parave të humbura, u rikthyen me dhunë në pushtet.
Nga viti 97 në vitin 2005, Partia Demokratike konsolidoi në Shqipëri traditën e munguar të opozitës konstruktive, fitoi zgjedhjet në vitin 2001, por ia morën mandatet me gjykatë kushtetuese. “Më 3 Korrik të vitit 2005, Partia Demokratike dhe aleatët e saj morën votëbesimin masiv të shqiptarëve, ndër rastet më të rralla në histori, ato fituan, ndonëse opozitë në zgjedhje jo të lira dhe të ndershme, duke realizuar kështu rotacioni demokratik të pushtetit dhe larguar prej tij me votë, ata që erdhën me dhunë”, deklaroi kryeministri.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO
Kryeministri Berisha vlerësoi përkushtimin e çmuar të Presidentit të SHBA-ve George W.Bush dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jap dee Hoop Schefer dhe të gjitha qeverive të vendeve anëtare që votuan për pranimin e Shqipërisë në Aleancën veri atlantike. “Me këtë rast, dua t’u shpreh mirënjohjen më të thellë Presidentit Bush, këtij burri të madh të kombit amerikan që erdhi në Shqipëri me mesazhin ‘Shqipëria në NATO. Mirënjohje të veçantë dua t’i shpreh Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s dhe të gjitha qeverive të vendeve anëtare që votuan për ftesën, që kanë ratifikuar dhe po ratifikojnë protokollin e anëtarësisë së plotë të Shqipërisë në NATO. Zoti e bekoftë Aleancën e Atlantikut dhe vendet anëtare të saj. Unë i garantoj shqiptarët se idealet e NATO-s do të jenë udhërrëfyese për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe se do të bëjmë çdo përpjekje për të qenë anëtar i denjë i saj”, u shpreh Berisha.
Qeveria bëri premtimet realitet
Kreu i qeverisë bëri të ditur se me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike tre vjet më parë, iu premtua shqiptarëve dyfishimin e rrogave të mësuesve, infermierëve, mjekëve, dyfishimin e pensioneve në fshat dhe vendosjen e pensioneve minimal 100 dollarë në qytet dhe tashmë këto janë bërë realitet.
Berisha tha se “opozita e shpalli premtimin tonë mashtrim, kurse ne e bëmë atë, ne i shndërruam premtimet tona në realitet”. “Sot rroga minimale dhe mesatare në Shqipëri le mbrapa një sërë vendesh të rajonit, por edhe të BE. Ato kanë një rritje nga 50-80% dhe më 1 maj 2009 do të dyfishojmë rrogën e mësuesve, mjekëve, infermierëve, pensionet e fshatit. Unë zotohem se në mandatin tim të dytë, rritja e madhe e rrogave dhe pensioneve do të jetë një nga objektivat madhore të politikës sime”, u shpreh kryeministri.
Rruga Durrës-Morinë tmerron armiqtë
Duke iu referuar ndërtimit të aortës së kombit rrugës Durrës-Kukës-Prishtinë, kryeministri Sali Berisha tha se ndërtimi i kësaj vepre madhore është një tjetër premtim i Partisë Demokratike që po shkon drejt realizimit të plotë, pavarësisht se qeveria paraardhëse e kishte bllokuar për tetë vjet me radhë, madje vodhën dhe shpërdoruan qindra milionë euro taksa që paguan shqiptarët për vite e vite me radhë.
“Sot, aorta e kombit është pothuaj një realitet. Ndërtimi i saj i tmerron armiqtë dhe kundërshtarët e saj, sepse Shqipëria, portet e saj, Kosova, territori i saj, fitojnë rolin dhe peshën gjeostrategjike që nuk e kanë patur ndonjëherë më parë. Ndërtimi në një kohë rekord i korridorit shqiptar gjatë këtij mandati, përbën një nga rritjet më të mëdha historike të Partisë Demokratike, të Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Inaugurimi i tij muajt e ardhshëm të vitit të ardhshëm, përbën tmerrin, turpin dhe fundin e atyre që e bllokuan vite të tëra, që përvetësuan taksën e tij, që përpiqen të mbulojnë me shpifje, trillime ndër më banalet ndërtimin e tij. Shqiptarët do fitojnë. Korridori shqiptar është vepra jonë, është krenaria jonë!”, nënvizoi kryeministri Sali Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi në vijim se Partia Demokratike u themelua 18 vjet më parë si parti e çështjes kombëtare dhe e interesit kombëtar të shqiptarëve.
“Gjatë këtij mandati ajo, së bashku me të gjithë shqiptarët, përjetoi realizimin e ëndrrës së dy milionë shqiptarëve në Kosovë për Pavarësinë. Në pushtet apo në opozitë, pavarësia e Kosovës ka qenë çështja kryesore e programit tonë kombëtar. Ne jemi krenar me qëndrimet tona!”, u shpreh Berisha.
PD, mandatin e dytë çon Shqipërinë në Evropë
Kryeministri i vendit Sali Berisha, u shpreh gjithashtu dje gjatë fjalës së tij në pallatin e Kongreseve me rastin e 18-vjetorit të themelimit të PD-së, se mazhoranca aktuale do të konsolidojë pozitat, duke fituar edhe mandatin e ardhshëm zgjedhor, për të ndryshuar edhe më shumë Shqipërinë dhe për ta çuar denjësisht në Evropë.
“Së bashku ne përmbysëm diktaturën, së bashku ne përmbysëm kleptokracinë, së bashku ne do fitojmë mandatin e dytë, së bashku ne do ta çojmë Shqipërinë në Europë. Rroftë rinia shqiptare!
Shqipëria po ndryshon, po ndryshon këto vite më shumë se asnjëherë më parë, por unë jam këtu për t’u zotuar se gjatë mandatit të dytë, ndryshimet e saj do të jenë disa herë më të mëdha”, tha Berisha.
Sipas kryeministrit, ndryshime të mëdha ka patur imazhi i saj këto tre vjet, duke u bërë vendi i sigurt, vend i suksesit të reformave, vend që priti në vizitën e tij të parë në histori, Presidentin e SHBA, vend që priti kryeministra, kryetarë shtetesh dhe institucioneve ndërkombëtare më shumë se kurrë më parë, vendi që firmosi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mori ftesën për në NATO. “Të gjitha këto janë premisat madhore të shpejtimit të ritmeve të zhvillimit të saj. Ajo mbetet e vendosur të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi në rajon. Qeveria shqiptare sot dhe gjatë mandatit të ardhshëm do të ketë përparësi madhore bashkëpunimin e gjithanshëm dhe miqësor me SHBA dhe administratën e re të Presidentit Obama, si aleati ynë kryesor, administratë në të cilën ne kemi miqtë më të mirë. Ne angazhohemi për zhvillimin e marrëdhënieve intensive dhe miqësore me vendet fqinje, me vendet e mëdha të BE, Britaninë, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe vendet e tjera, me Japoninë, Kinën, Kanadanë, Indinë, Brazilin dhe me vende mike kudo në botë”, vuri në dukje kryeministri Berisha.
Fjalimi i Berishës, ndiqet me interesim të madh edhe në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës
TIRANE - Fjalimi i Kryeministrit Sali Berisha, është ndjekur dje me vëmendje të madhe, si rrallë ndonjë herë, më parë edhe në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë. Përgjatë minutave që Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, fliste në pallatin e Kongreseve në Tiranë, rrugët dhe qendra e Prishtinës, thuajse ishin boshatisur dhe nëpër lokalet e qytetit, në ekranet televizive, ndiqej me vëmendje të madhe ky fjalim. Interesimi i madh i banorëve të Kosovës, për ndjekjen e fjalimit të Berishës, pasohej dje edhe nga opinione, që e shihnin Kryeministrin shqiptar si një lider kombëtar në të dyja anët e kufirit.