Korriku, përvëlues për debitorët e ATK-së
Qershori mbetet muaji i fundit për të përfituar lehtësitë më të favorshme për shlyerjen e detyrimit që kanë krijuar ndaj ATK-së të 12000 debitorët e saj lidhur me kreditë e marra në periudhën ‘93-‘98 nga ish-bankat shtetërore të nivelit të dytë. Sipas VKM-së nr. 681, datë 11/06/2009 dhe udhëzimit të ministrit të Financave nr. 35, datë 14/07/2009, debitorët përfitojnë faljen në masën 75-80 për qind të interesave, kamatëvonesave dhe gjobave në rast se paraqiten për të likuiduar vullnetarisht detyrimin deri më 30 qershor të këtij viti, pasi duke filluar nga 1 korriku 2010 e në vazhdim, kjo falje zbret në shifrat 60-65 për qind, për të vazhduar kështu deri në likuidimin e qindarkës së fundit edhe nga debitori i fundit për këto lloj detyrimesh.
Debitorët e ATK-së janë rënduar me interesa, kamatëvonesa dhe gjoba, por edhe me penalitete të tjera për shumë arsye, ku më kryesorja është mosinteresimi i tyre për të likuiduar në kohë e me korrektësi detyrimin e krijuar ndaj shtetit. Kjo lloj indiference e palogjikshme, një debitorësh i ka shtyrë ata deri në kufijtë e krijimit të bindjes idioteske se “këto kredi do të harrohen me kalimin e kohës nga shteti”, ndaj sot, kur ballafaqohen me shumën e detyrimit që kanë dhe sanksionet ligjore për vjeljen deri në qindarkën e fundit të tij, sipas rastit bëjnë “të paditurin”, “të varfrin”, “të fortin”, “të dëmtuarin”, “të painformuarin” e kështu me radhë. Një arsye tjetër që e ka shtyrë këtë kategori debitorësh ta flejë mendjen është edhe trajtimi jocilësor, me përzgjedhje e në mënyrë korruptive, që është bërë nga organet drejtuese të ATK-së përgjatë 7-8 viteve të para, qysh nga krijimi i këtij institucioni në vitin 1998. Përveç të tjerash, në favor të këtij konkluzioni flet edhe rendimenti tejet i ulët i arkëtimeve të kryera në këtë periudhë, në të cilën, sikundër ishte përcaktuar në nenin 23, pika 1 e ligjit nr. 8894, datë 14/05/2002, ishte parashikuar likuidimi i të gjithë portofolit të transferuar të këtyre kredive në masën e 36 miliardë lekëve, ndërkohë që nuk u arkëtuan më shumë se 3,7 miliardë lekë, apo vetëm 10 për qind e tij.
Ndaj, debitorët nuk kanë pse e ndërlikojnë më tej situatën e tyre, duke mos reaguar ndaj ofertave favorizuese të ATK-së për momentin aktual. Organet drejtuese të Agjencisë së Trajtimit të Kredive janë të vendosura deri në fund për zbatimin e rreptë të ligjit, jo vetëm ndaj debitorëve hileqarë e të papërgjegjshëm, por edhe ndaj institucioneve kryesore bashkëpunuese, si Shërbimi Përmbarimor dhe zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që indirekt apo drejtpërdrejt i favorizojnë këto veprime spekulative. Ndërkohë po punohet edhe për të bërë ndryshimet e duhura ligjore, në mënyrë që të mbyllen të gjitha shtigjet e shmangies nga shlyerja e detyrimit dhe nxjerra e përgjegjësisë për çdo debitor. Gjithkush duhet të bindet se shlyerjes së borxhit, sidomos borxhit ndaj shtetit, mund t’i dredhosh po aq sa ç’mund t’i dredhosh dhe vdekjes.
Sidoqoftë, ne përpara ligjit, në këto pak rreshta, u treguam debitorëve “maliqin” e përfitimeve dhe favorizimeve në rast se afrohen për të shlyer vullnetarisht detyrimin e krijuar. është në dorën e tyre të zgjedhin, ku besoj se vetëm të marrët mund të zgjedhin penalizimin dhe turpërimin publik. Por, nga ana tjetër, po i rikujtojmë të gjithë, që nuk kanë më shumë se 20 ditë kohë për të zgjedhur favorizimet maksimale që u ofron ligji…
Autori: Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Trajtimit të Kredive
fetizeneli@yahoo.com