Miratohet pensioni për policët e vrarë
Parlamenti u hap rrugën ligjore familjeve të policëve të vrarë në krye të detyrës, si dhe kategorive të tjera. Pas më shumë se dy orë debatesh, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë arrin ta miratojë projektligjin e qeverisë “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”. Debati u fokusua në terma teknike, pasi në parim të gjithë deputetët anëtarë në komision ishin pro, përfshi edhe opozitën, e cila bëri disa sugjerime që gjetën konsensusin e mazhorancës. Albert çaçi, deputet i PS-së, propozoi që në kategorinë e përfituesve të përfshiheshin edhe ushtarakët, por kryetari Edmond Spaho sqaroi se projektligji do të kalonte për diskutim edhe në Komisionin e Sigurisë Kombëtare.
Projektligji synon të japë një përcaktim të qartë të pensionit, pensionit suplementar dhe shpërblimit të menjëhershëm të familjarëve të punonjësve që humbin jetën në detyrë. Parashikohet ndërprerja e skemës aktuale të sigurimeve shoqërore për pensionet dhe hyrjen në fuqi të skemës së re, e cila do të përfshijë edhe familjarët e personave që kanë humbur jetën përpara hyrjes në fuqi të këtij projektligji. Kështu, garantohen me ligj të drejtat financiare dhe indeksimi në përputhje me skemën e re.
Përveç pensionit familjar, të afërmit e personave të rënë në krye të detyrës do të përfitojnë edhe kredi në bursa të plota arsimore, trajtim preferencial për kredi strehimi nga Enti i Kombëtar i Banesave sipas kritereve dhe procedurave të parashikuara. Në rastet e plagosjes në krye apo për shkak të detyrës, projektligji parashikon trajtim ekonomik dhe financiar, kompensim për dëmtimet trupore dhe shpenzimet për rehabilitim shëndetësor.
Projektligji me ndryshimeVarianti i qeverisë pësoi disa rregullime teknike, përveçse te neni 3, ku u hoq kufizimi i moshës së familjarëve për të përfituar. Në varantin e parë ishte që, “bashkëshorti/ja, fëmijët nën 18 vjeç ose deri në 25 vjeç, kur kryejnë studimet e larta, prindërit bashkëjetues dhe personat në kujdestari, në çastin e humbjes së jetës së punonjësit, përfitojnë ndihmë të menjëhershme financiare, deri në 200 mijë lekë”. Me ndryshime, mosha 18 dhe 25 vjeç u hoq, derisa fëmija të jetë pjesë e familjes. Në rang vendi, pas vitit 1991, numërohen rreth 245 policë të vrarë në krye të detyrës, ndërsa nuk ka një shifër për viktimat e kategorive të tjera, si garda, zjarrfikësi etj.
Në projektligj është parashikuar që për fëmijët e të rënëve në krye apo për shkak të detyrës së këtyre strukturave, të përfitojnë një pension familjar të barabartë me pagën referuese të punonjësit në momentin që ai ka humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës. Kjo pagesë pensioni, do të bëhet për fëmijët e tyre deri në moshën 18 vjeç. Pas kësaj periudhe, bashkëshorti dhe anëtarët e familjes në ngarkim përfitojnë pension familjar suplementar sipas dispozitave. Përfitimet sipas projektligjit jepen në masën 100 për qind të pagesës sa herë që përfitimi i llogaritur ndryshon.
Për fëmijët që sipas vendimit kanë përfituar të ndjekin studimet e larta në institucionet shtetërore të arsimit të lartë, trajtohen me bursë të plotë. Në lidhje me shpenzimet e varrimit të punonjësve të rënë në krye të detyrës apo për shkak të detyrës, u jepet një ndihmë e menjëhershme për shpenzimet e varrimit. Për kategorinë për të cilën është propozuar projektligji, qeveria ka parashikuar që për pjesëtarët e familjes së tyre, përfitojnë trajtim me përparësi për strehim nga Enti Kombëtar i Banesave. Në ditën përkujtimore të punonjësit të rënë në krye të detyrës, personat që bashkëjetonin me të në kohën e rënies në krye të detyrës, do të përfitojnë një shpërblim deri në një pagë mujore të gradës më të lartë të nivelit zbatues.