E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni, SHBA ndërpret ndihmën

Afganistan

Miliarda dollarë janë nxjerrë në fshehtësi jashtë Kabulit, kryeqytetit të Afganistanit, për të blerë vila luksoze në Dubai. Duke pasur frikë se bëhet fjalë për para të korruptuara, politikanët amerikanë kanë ndërprerë përkohësisht ndihmën ndaj qeverisë afgane. Brigadier gjeneral Mohamed Asif Jabakhrel është ulur me krahët e kryqëzuara në zyrën e tij të sigurisë në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit. “Sigurisht që e di se çfarë po ndodh këtu, por në këtë vend është shumë e vështirë që të thuash të vërtetën”, thotë 59-vjeçari, i cili është shefi i policisë doganore të aeroportit. Në këtë rast, ai i referohet shumave të jashtëzakonshme të parave që dalin shpesh jashtë Afganistanit nëpër valixhe të mëdha, apo edhe në kuti të mëdha që futen në bagazhet e avionëve. Sipas disa vlerësimeve që nga viti 2007, rreth 3 miliardë dollarë në të holla kanë dalë nga vendi në mënyrë të fshehtë. Destinacioni i preferuar i këtyre parave është Dubai, që është edhe parajsa e taksave e Gjirit Persik. Duke qenë se totali i Prodhimit Kombëtar Bruto të Afganistanit është 12 miliardë dollarë, është e pamundur që këto para të jenë vetëm transaksione legale biznesi. Shefi i aeroportit ankohet se gjithë tentativat e shumta për të ndaluar këtë hemorragji dollarësh nga vendi kanë dështuar. “Banka Qendrore ka bërë një marrëveshje me qeverinë, për të shndërruar këto lloj transfertash në të ligjshme. Sa herë që tentojmë që të kontrollojmë origjinën e këtyre parave, na bëhet presion dhe nuk mund të shkojmë më tej në hetime”, deklaron drejtori. Që nga viti 2001, kur u sulmua Afganistani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar në këtë vend rreth 300 miliardë dollarë për luftën dhe rindërtimin e vendit, por ndërkaq përparimet kanë qenë shumë të pakta dhe shpresa sa vjen e po ikën. Një nga arsyet e kësaj situate mund të jetë edhe dalja ashtë vendit në mënyrë të paligjshme e sasive të mëdha të parave dhe kjo në mënyrë të vazhdueshme. Njerëzit që përfitojnë nga kjo situatë janë sigurisht ata që kanë lidhje shumë të ngushta me vendet donatore. Një pjesë e madhe e këtyre parave që del jashtë Afganistanit bëhet përmes aeroportit të Kabulit. Për shembull, politikanë të rëndësishëm dhe sigurisht miqtë e tyre biznesmenë, shpesh hipin nëpër avionë nga zona e veçantë VIP, pa iu nënshtruar kontrolleve doganore dhe nëse ndonjë zyrtar i doganës do të donte që të bënte me ta detyrën, ata menjëherë do të reagonin negativisht. Bëhet fjalë për prona që janë blerë me këto para dhe sipas një artikulli të “Washington Post”, janë prona të regjistruara kryesisht në emrat e individëve që kanë dhënë hua, mes të cilëve edhe njerëz të lidhur me Presidentin Karzai.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›