Dosja e diplomatit: Drogë, shantazh dhe pengmarrje në SHBA
Zbardhet veprimtaria kriminale në SHBA e zyrtarit të Ministrisë së Jashtme, Almir Rrapo, ku krahas shpërndarjes së lëndëve narkotike akuzohet edhe për pengmarrje me qëllim shantazhi ndaj një shtetasi amerikan. FBI-ja ka sjellë në zyrën e Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë një informacion paraprak për 27-vjeçarin, i cili dyshohet se është një nga anëtarët e një grupi kriminal që vepronte në shtetin e Nju Jorkut, që merrej me trafikun dhe shpërndarjen e narkotikëve. Provat e FBI-së janë përgjimet dhe vëzhgimet në terren të të gjithë anëtarëve.
Aktiviteti kriminal dyshohet se ka ndodhur rreth tre vjet më parë në Nju Jork, ku Rrapo ka qenë rezident. Informacionet e pakta të sjella nga Amerika flasin se Rrapo ka qenë një nga personat që ka marrë peng për disa ditë një të ri, duke i bërë shantazh të mos shkelte në zonën që kishte influencë banda kriminale, anëtari i së cilës dyshohet të ishte edhe i arrestuari. Roli i tij ka qenë “ushtar”, ndërsa drejtohej nga disa persona të arrestuar dhe të shpallur në kërkim në SHBA. Ata kishin ngritur një grup kriminal dhe kishin një zonë të madhe influence për trafikun dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike. Duke parë rivalitetin midis bandave, janë urdhëruar disa persona, midis të cilëve edhe Rrapo që të merrnin peng një prej krerëve të bandës rivale, duke i bërë të qartë të mos shkelte më në atë zonë. Ngjarja është denoncuar në policinë e Nju Jorkut dhe duke parë shtrirjen e madhe të kësaj bande, është parë e udhës që në mes të futej FBI-ja.
Banda kriminale ku bënte pjesë Almir Rrapo është mbajtur nën vëzhgim për tre vjet, kur janë marrë të gjitha të dhënat dhe deklarimet e personave që kanë pasur dijeni rreth këtij aktiviteti kriminal. Informacionet që kanë mbërritur në Prokurorinë Shqiptare flasin se 27-vjeçari shqiptar kishte arritur të futej në këtë bandë të rrezikshme, madje duke qenë me një rol aktiv.
Në zonën e Nju Jorkut, sipas prokurorisë shqiptare, dyshohet se veprojnë disa banda kriminale në përbërje të të cilave ka edhe shqiptarë, e madje, disa prej tyre kanë poste të larta drejtuese. Pas goditjeve të organizatave mafioze italiane, në skenën e mafies së Nju Jorkut janë futur ndjeshëm shqiptarët, duke ngritur banda të rrezikshme. Informacionet që vijnë nga përtej Atlantikut flasin se bandat shqiptare janë të egra dhe funksionojnë me kanun dhe hakmarrje, ndërsa veprimtaria e tyre është trafiku i armëve, drogës dhe shfrytëzimi i prostitucionit.
Ndërkohë, prokuroria shqiptare deklaron se do t’i dërgojë SHBA-së një letër-porosi, me anë të së cilës do ta njohë zyrtarisht me arrestimin e Almir Rrapos, ndërsa Gjykata e Tiranës vendosi dy ditë më parë një periudhë izolimi prej 40 ditësh, me qëllim që drejtësia shqiptare dhe FBI-ja të bëjnë gati të gjitha dokumentet për ekstradimin e Rrapos drejt SHBA-së. Nga ana tjetër pritet edhe e gjithë dosja e FBI-së për Rrapon nga Interpol Uashingtoni.
#